KPSA mbyllet pa deklaratë të përbashkët, debat për korrupsionin dhe Zvërnecin

09.07.2026 18:32

Mbledhja e 21-të e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit në Strasburg...

Mbledhja e 21-të e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit në Strasburg lidhur me integrimin e Shqipërisë përfundoi pa një deklaratë të përbashkët. PS-ja dhe PD-ja nuk gjetën konsensus, duke i ndarë votat sipas përkatësisë politike, 7 vota pro mazhoranca e 7 kundër opozita. PD-ja pretendoi se mazhoranca u ka rrëzuar amendamentet që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit.

“Kryeministri urdhëroi shumicën për të mbrojtur krahun e tij të djathtë, edhe pasi vetë SPAK-u deklaroi publikisht se mungesa e masës së sigurimit dëmtonte hetimin. Ky është një moment që ngre një pyetje themelore: a përdoret shumica parlamentare për të mbrojtur institucionet apo për të mbrojtur pushtetin nga veprimi i ligjit?”, - deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Kjo mbledhje nuk i shpëtoi debateve për protestën dhe projektin e Zvërnecit që u kthye në një çështje ndërkombëtare.

“Kemi dëgjuar nga ministri se nuk është dhënë një lejë ndërtimi, por rruga brenda zonës së mbrojtur ishte rreth 60 km. Kemi identifikuar edhe makineri për të bërë ndërtime. Në Evropë nëse nuk jepet leja, kjo nuk ndodh. E kemi pyetur ministrin që si ka mundësi që për 1 muaj është bërë kjo punë, përgjigja ishte e vështirë për ta kapërdirë, tha që nuk jemi akoma pjesë e BE-së.”, - theksoi eurodeputetja, Kristina Guarda.

Socialisti Taulant Balla i ftoi për një mision faktmbledhës që ta shohin situatën nga afër.

“Do t’ju ftoja të vinit të realizonit një mision faktmbledhës të gjithë bashkë, jo për të marrë like, por për të parë si është situata në terren. Informacioni i dhënë nga ministri nuk është paraqitur në mënyrë të plotë. Ajo çfarë u tha nuk ishte e saktë. Nuk ka leje të dhënë ende. Ndikimi mjedisor do të vlerësojë ndikimet e mundshme në habitat dhe burimet ujore. Do të ketë transparencë me komunitetin lokal.”, - u shpreh kreu i Grupit PS, Taulant Balla.

Ndërkohë në Tiranë për këtë çështje vijojnë protestat prej 39 ditësh, por kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se nuk heq dorë as nga investimi dhe as nga posti i kryeministrit. (Luljeta Ndoka, TVM2)