Kurti nisi takimet me liderët opozitarë, takimi me Hamzën konstruktiv, por pa rezultat

10.07.2026 13:59

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti...

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka nisur takimet me liderët e partive opozitare për krijimin e institucioneve të reja, përfshi zgjedhjen e presidentit të ri të shtetit. Pas takimit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, Kurti tha se takimi ishte konstruktiv por nuk pati ndonjë rezultat konkret.

“Ishte takim i parë dhe konstruktiv, i cili kaloi në atmosferë të vullnetit dhe interesimit për t’i dhënë institucione të reja në përputhje me vullnetin e popullit. Aktualisht nuk mund të them se kemi ndonjë rezultat konkret të arritur, që do të mund ta ndaja me publikun.”, - deklaroi kryetari i LVV-së, Albin Kurti.                                                             

Edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se takimi ka kaluar në atmosferë korrekte, ndërsa bëri të ditur se partia që ai drejton gjatë këtij mandati do të qëndrojë në opozitë.

“Bazuar në bisedat që i kemi pasur dhe në diskutimet që i kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK-ja për këtë mandat është parti në opozitë. Dhe ne i dëshirojmë sukses zotëri Kurtit dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, t’i japin vendit institucione, duke i përfshirë të gjitha institucionet, se përveç Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë edhe 98 deputetë të tjerë.”, - theksoi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.  

Kurti: Gjini nuk duhej ta refuzonte ftesën për takim     

Kurti do të takojë edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ndërsa kreu i Aleancës, Ardian Gjini, e ka refuzuar takimin. Kurtit nuk i ka pëlqyer refuzimi i Gjinit.   

“Në kohën kur takimet zhvillohen gjithandej, pothuajse secili me secilin, nuk besoj se është në rregull që një parti e respektuar parlamentare të refuzojë takimin me mua si kryeministër dhe kryetar i partisë fituese, andaj edhe po duhet të them 93, në vend të 100.”, - u shpreh kryetari i LVV-së, Albin Kurti.

Kreu i Aleancës, Gjini, në përgjigjen drejtuar Kurtit, duke refuzuar takimin, ka theksuar se partia e tij është e gatshme të ndihmojë në kuorumin për zgjedhjen e presidentit, nëse Kurti i pranon gjashtë pikat e ofertës së Aleancës. (Gyltene Sinani, TVM2)