Aliu: Në përpilim e sipër ndryshimet në ligjin për duhanin

10.07.2026 15:43

Ndryshimet në ligjin për duhanin...

Ndryshimet në ligjin për duhanin janë në përpilim e sipër dhe së shpejti do të jenë para deputetëve për votim, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Ndryshimet ligjore janë me rëndësi për qytetarët dhe shëndetësinë në vend, thotë ministri.

“Duhet të diskutohet, të mbyllet dhe pastaj të votohet dhe pres që për shkurt kohë që ligji të votohet për shkak se është shumë I rëndësishëm për qytetarët, por edhe për aspektin shëndetësor të shtetit tonë. Ato i keni të hapura, mund t’i gjeni në ueb-faqen e Parlamentit, pra janë disa prej amendamenteve të cilët mendojnë se do të duhet të jetë më tolerant ligji sesa është tani, nuk është shumë fleksibil dhe të tjerat që kërkojnë një infrastrukturë të posaçme për personat që dëshirojnë të konsumojnë nikotinë.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Aliu: MSh-ja ka përfunduar procedurën për parkingun

Ministri Aliu po ashtu bëri të ditur se procedura për parkingun në kompleksin “Nënë Tereza” ka përfunduar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe tanimë ingerencat i ka Qyteti i Shkupit.

“Pra, parkingu ka përfunduar, MSh-ja tanimë nuk ka ingerenca mbi parking, tani i ka qyteti i Shkupit. Besoj që kryetari i qytetit të Shkupit i ka mbaruar procedurat administrative dhe duhet të parashtroni pyetjen deri ku kanë arritur dhe cila është dinamika e implementimit, pasi që ajo dinamikë ka kaluar edhe në Qeverinë e shtetit tonë.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Sa i përket çështjes për angazhimin e infermiereve dhe personelit tjetër të nevojshëm në Klinikën e Fëmijëve, Aliu tha se kjo klinikë ka bërë kërkesë për kapacitetet njerëzore, por nuk ka marrë mendim pozitiv nga Ministria e Financave dhe aktualisht nuk ka mundësi administrative që të bëhen  punësime në këtë klinikë. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)