Propozim-ribalanci i buxhetit për vitin 2026, vazhdon shqyrtimi i amendamenteve

10.07.2026 16:02

Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet...

Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet gjatë shqyrtimit të propozim-ribalancit të Buxhetit për vitin 2026 ka refuzuar amendamentet e grupit parlamentar të BDI-së, që kanë të bëjnë me ndërtimin e teleferikut në Malësinë e Tetovës që do ta lidhë Tetovën me Kodrën e Diellit, ujësjellësin në Komunën e Çashkës, mjete për sanimin dhe rikonstruimin e urës së Molluriçanit, që lidhet me qytetin e Dibrës.

BDI-ja njëherësh kërkon ndarjen e mjeteve për përfundimin  e stadiumit të Tetovës në vlerë prej 246 milionë denarësh.

“Përfundimi dhe funksionalizimi i këtij stadiumi është një kërkesë disavjeçare, që fatkeqësisht nuk arrin që të përfundohet për të gjitha klubet sportive në përgjithësi. Stadiumi do të krijojë kushte moderne për zhvillimin e aktiviteteve sportive, pasi që ne pretendojmë të jemi pjesë e BE-së dhe lavdërohemi se kemi shumë progres. Këtu akoma flasim për disa vite që nuk ndërtohet ky stadium.”, - deklaroi deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti.

Pushteti ndërkohë akuzon se BDI-ja kujdeset për komunat dhe zhvillimin e tyre vetëm kur është në opozitë.

“Për fat të keq, një periudhë të gjatë kur kanë praktikuar qeveri dhe kur kanë pasur mundësinë, veçanërisht në nivel lokal, ku bie edhe amendamenti i propozuar për përfundimin e stadiumit. Dua të informoj se gjendja me terrenet sportive, veçanërisht ato të futbollit, është në situatë shumë të keqe në Tetovë dhe gjendja e trashëguar ka qenë katastrofale dhe menjëherë në projekte që nënkuptojnë renovimin e terreneve sportive.”, - theksoi deputeti i  VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Veljanovski.

Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, tha se kjo qeveri është maksimalisht e përkushtuar në zhvillimin  e komunave.

“E pamë se sa nuk është bërë në rrjetet e kanalizimit, rrjetet e ujësjellësit, rrugë lokale, etj., në disa dekadat e fundit. U ndryshuan shumë Qeveri dhe shumë personalitete, por me këtë qeveri treguam se me mjetet e ndara dhe me realizimin e projekteve që po bëhen edhe për momentin se kemi vullnet dhe dëshirë për t’i tejkaluar këto probleme.”, - u shpreh zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.

Me ribalancin e propozuar, të ardhurat totale parashihen në 379.5 miliardë denarë, ndërsa të ardhurat tatimore mbeten pothuajse të pandryshuara në 213.2 miliardë denarë.

Të ardhurat jotatimore rriten me afro 2 miliardë denarë, ndërsa donacionet me rreth 2.7 miliardë denarë. Shpenzimet totale rishikohen në 425.8 miliardë denarë. (Florije Kamberi, TVM2)