Tetovë, përfunduan punimet në rrugën “Shtip”

10.07.2026 16:18

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami...

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, dhe zëvendësministren e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, promovuan përfundimin e punimeve të rrugës “Shtip”.

Kasami theksoi se projekti është realizuar sipas standardeve bashkëkohore, dhe se përveç asfaltimit është investuar edhe në infrastrukturën nëntokësore.

"Sot po promovojmë përfundimin e punimeve në rrugën “Shtip”, një investim shumë i rëndësishëm i financuar nga Ministria e Transportit dhe i bashkëfinancuar nga Komuna e Tetovës. Është realizuar tërësisht infrastruktura nëntokësore, përfshirë kanalizimin atmosferik, kyçjet e reja të ujësjellësit, instalimet kabllore dhe rrjetin e ri të ndriçimit publik. Vlera e projektit është 17 milionë denarë nga Ministria e Transportit, ndërsa Komuna e Tetovës ka marrë pjesë me 2 milionë denarë.", - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Sipas autoriteteve, rruga ka një gjatësi prej 680 metrash dhe është ndërtuar për t'u përgjigjur nevojave të banorëve dhe qarkullimit të përditshëm.

“Rruga ‘Shtip’ është pjesë e projektit që po e realizojmë së bashku me komunën dhe me Bankën Botërore, dhe më vjen mirë që ajo tashmë ka përfunduar. Ajo që dua ta theksoj me krenari është se Komuna e Tetovës, vetëm përmes programeve që realizohen nëpërmjet Ministrisë së Transportit, deri më tani ka realizuar ose është duke realizuar projekte në vlerë prej 428 milionë denarësh, që është një shumë vërtet e konsiderueshme për investime infrastrukturore.”, - theksoi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

"Sot promovojmë edhe një projekt të rëndësishëm të Ministrisë së Transportit – rikonstruktimin e rrugës “Shtip”. Rruga ka një gjatësi prej 680 metrash dhe gjerësi 5.5 metra. Është larguar shtresa e vjetër e asfaltit, është vendosur asfalt i ri, janë rregulluar kanalizimi atmosferik dhe trotuaret, duke krijuar kushte më të mira dhe më të sigurta për qytetarët. Gjatë dy viteve të fundit, Ministria e Transportit ka investuar rreth 7 milionë euro në Komunën e Tetovës, përmes 29 projekteve që janë realizuar ose janë në fazë realizimi.", - u shpreh zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri.

Nga Ministria e Transportit u theksua se bashkëpunimi me Komunën e Tetovës do të vazhdojë, do të mbështeten investime të reja kapitale, me synim modernizimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Tetovës. (Visar Sadiku, TVM2)