Ndalimi i zyrtarëve të VLEN-it në Qafë Thanë, Kasami: BDI të bëjë opozitën në Maqedoni

10.07.2026 16:32

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami...

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, akuzon BDI-në për ndalimin e zyrtarëve të partisë në vendkalimin Qafë Thanë dy ditë më parë. Kasami thotë se zyrtarët partiakë posedojnë pasaporta diplomatike dhe se kanë udhëtuar zyrtarisht për në Shqipëri, por që sipas tij, BDI-ja po keqpërdor institucionet në Shqipëri duke i keqinformuar për gjithë atë që ndodh në Maqedoninë e Veriut.

“E lusim BDI-në që betejën politike ta vazhdojmë këtu brenda proceseve demokratike, brenda kushtetutës dhe ligjeve dhe mos e invojvojnë një shtet fqinjë, në këtë rast, siç është Shqipëria. Nuk do t’u ndihmoj, nuk do t’i shpëtoj, vetëm që në momente të caktuara do të krijojnë tensione të tilla.”, - deklaroi kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.

MPJ kërkon sqarim nga ambasada shqiptare

Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë ka kërkuar informacion nga Ambasada e Shqipërisë në vend për ndalim hyrjen në Shqipëri të deputetëve Bekim Qoku dhe Adnan Azizi si dhe zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Hasim Murtezani.

“Me kërkesën tonë, në MPJ u zhvillua një takim me një përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë. Në frymën e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, fqinjë dhe aleatë të NATO-s, në takim u kërkua informacion zyrtar nga autoritetet shqiptare në lidhje me ngjarjen që ndodhi në pikën kufitare Qafë Thanë, gjatë së cilës shtetasve të vendit tonë nuk u lejua të hynin në Republikën e Shqipërisë.”, njoftojnë nga MPJ.

Sipas versionit zyrtar të policisë së shtetit shqiptar, zyrtarët kanë poseduar pasaporta diplomatike dhe kanë mundur të kalojnë kufirin, por që personi i katërt, ka pasur pengesa ligjore dhe nuk i është lejuar hyrja në territorin shqiptar.

Për rrjedhojë që të katër personat kanë vendosur të kthehen në Maqedoni. Policia shqiptare vlerëson se reagimi i policisë kufitare është pjesë e punës së tyre që garanton respektimin e procedurave dhe ligjeve. (Meral Ismaili, TVM2)