BDI: Kasami dëshmoi pafuqi politike dhe institucionale
BDI-ja ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami...

BDI-ja ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, duke e akuzuar atë për mungesë të përgjegjësisë politike dhe institucionale.
“Bilall Kasami edhe një herë dëshmoi para qytetarëve pafuqinë e tij politike dhe institucionale. Në pamundësi për të marrë përgjegjësi dhe për të zgjidhur problemet e Tetovës, tani tenton ta kamuflojë dështimin e tij me teori për zgjedhje të reja për Këshillin e Komunës së Tetovës. Bilall Kasami, i njohur që në rini për vargjet e lavdisë kushtuar Josip Broz Titos, më pas pjesë e koalicionit parazgjedhor “Mundemi”, e sot pjesë e një Qeverie pa legjitimitetin e shqiptarëve, pafuqinë e tij politike e ka demonstruar disa herë para opinionit. E pamë kur kryeministri ia ndali fjalën publikisht, e pamë në raport me ministra të Qeverisë dhe po e shohim sërish sot, kur nuk ka guxim politik të mbrojë emrat e rrugëve dhe shesheve të Tetovës. Në vend të veprimit, Bilall Kasami prodhon teori juridike të paqena. Në vend të përgjegjësisë, kërkon alibi. Në vend të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemit, tenton të krijojë krizë artificiale dhe ta përdorë atë si pretekst për zgjedhje të reja.”, thonë nga BDI.
Sipas kësaj partie, çështja e emrave të rrugëve dhe shesheve nuk mund të shërbejë si arsye për shpërbërjen e Këshillit Komunal, pasi lista e propozuar nga BDI nuk është e njëjta që ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Nga BDI thonë se nëse Kasami dëshiron zgjedhje, atëherë duhet të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës së Tetovës dhe të kërkojë mandat të ri nga qytetarët, e jo të kërkojë shpërbërjen e Këshillit Komunal.
