Shqipëri, pushteti dhe opozita përplasen për integrimet

10.07.2026 18:43

Debati mes mazhorancës dhe opozitës u zhvendos nga Strasburgu...

Debati mes mazhorancës dhe opozitës u zhvendos nga Strasburgu në Kuvendin e Shqipërisë.  Në Komisionin e Jashtëm për më shumë se 1 orë u diskutua mbi mosgjetjen e dakordësisë për miratimin e një deklarate të përbashkët në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Stabilizim-Asociimit.

“Nga 35 amendamente, eurodeputetët kanë miratuar 31, ndërkohë nga mazhoranca janë rrëzuar. Ky është një sinjal alarmi për integrimin e Shqipërisë. Ato amendamente janë të reflektuara në rezolutë e PE-së dhe raportin IBAR. Keni dëshmuar, jeni ju pengesa në Integrimin Evropian.”, - deklaroi deputetja e PD-së, Albana Vokshi.

“Kanë qenë jo më tepër se 6-7 amendamente të miratuara nga PS-ja.”, - theksoi Haxhinasto.

“Kemi miratuar 15 amendamente të PD-së. Nuk ka si të vendosim aty referenca që flasin kundër progresit të Shqipërisë dhe referneca që nuk i përshtaten frymës së bashkëpunimit që kemi pasur deri më tani.”, - u shpreh Erion Malaj.

Në qendër të debateve u kthye edhe koncerti i këngëtarit të njohur Kanye Uest dhe financimi nga Qeveria me 4.2 mln euro, akt normativ, të cilin opozita e cilëson shpërdorim të parasë publike.

“Futja e duarve tek rezervat, 4.2 mln euro për një koncert privat, ndërkohë që nuk ka para për zjarrfikësit, pensionistët, onkologjikun. sepse ne sigurisht nuk do ta votojmë këtë akt normativ.”, - u shpreh  Albana Vokshi.

“Është keqpërdorim i parave publike për propagandë meskine politike partiake.  Sjellin këtu një njëri që është bojkotuar nga shumica e vendeve të BE-së. I japim pamjen Shqipërisë jo të një vendi autokratik, por të një sulltanati dhe jep 4 mln euro për një aktivitet të s’ka lidhje fare me buxhetin e shtetit. Aq më tepër për një këngëtar që njihet për koncepte naziste, antisemite… dhe është bllokuar në shumicën e vendeve evropiane. Në Evropë nuk pranohen sulltanatet.”, - theksoi Tritan Shehu.

“Është një ngjarje e madhe për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Janë rreth 30 mijë të tuaj nga 80 vende të ndryshme të botës dhe shumë mirë të vijnë ta përjetojnë Tiranën, siç është vërtetë dhe jo ashtu siç ka dalë nga lajmet dashakeqe të revolucionarëve patetik në bulevard.”, - u shpreh Sara Mila.

Artisti amerikan do ta nisë nesër koncertin në orën 20:00, një event që qeveria shqiptare e ka quajtur historik dhe pret që të gjenerohen mbi 100 mijë euro. (Luljeta Ndoka, TVM2)