Lindja e Mesme, situatë e tensionuar në raportet ShBA - Iran

10.07.2026 19:20

Shkëmbimi i zjarrit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit

Shkëmbimi i zjarrit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit gjatë ditëve të fundit e ka zhytur Lindjen e Mesme në një gjendje të re paqëndrueshmërie. Mediat iraniane raportuan sulme të shumta gjatë ditës së kaluar, por Shtetet e Bashkuara nuk e kanë konfirmuar përgjegjësinë për ofensivat e fundit të raportuara.

Teherani tha se kishte synuar objektet amerikane në Kuvajt, Bahrein dhe Katar si përgjigje. Trampi dhe Netanjahu kanë realizuar një bisedë telefonike dhe janë dakorduar që vendet e tyre do të vazhdojnë të koordinohen në fusha të ndryshme, thanë nga zyra e kryeministrit izraelit.

"Lufta nuk ka mbaruar ende. Së bashku me sfidat e vjetra, po shfaqen sfida të reja. Asketet bien, por ato gjithashtu ngrihen. Ne jemi të përgatitur për çdo skenar dhe dimë një gjë: ne duhet të jemi gjithmonë më të fortë se armiqtë tanë.", - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.

“E eliminuam babanë Khamenei dhe plagosëm rëndë birin Khamenei. Edhe njëherë, u kemi treguar të gjithë atyre që kishin nevojë për këtë kujtesë se Forcat Ajrore Izraelite, krahu strategjik i Shtetit të Izraelit, janë të afta të arrijnë çdo vend që kërcënon qytetarët e vendit tonë. Tani forcat tona janë  gati të godasin Iranin për të eliminuar kërcënimet, madje edhe për herë të tretë. Nëse na duhet të kthehemi, do të kthehemi me forcë edhe më të madhe.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes, i Izraelit, Israel Katz.

Ekonomia evropiane mbetet e qëndrueshme pavarësisht sulmeve të ripërtërira, por ministrat e financave të BE-së, të cilët u takuan në Bruksel për të diskutuar rreth tensioneve të reja midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, bënë thirrje për një rivendosje të plotë të armëpushimit “sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Ne shohim se armëpushimi, në kontekstin e luftës në Iran, nuk po respektohet vërtet. Ka bllokada të ripërtërira të Ngushticës së Hormuzit, gjë që sigurisht ka implikime. Por, në përgjithësi, ne shohim se ekonomia evropiane po rezulton e qëndrueshme përballë kësaj tronditjeje për furnizimet me naftë dhe gaz.”, - u shpreh komisionari i Ekonomisë i BE-së, Valdis Dombrovskis.

Ndërkohë, udhëheqësi i vrarë iranian Ali Khamenei u varros pas disa ditësh ceremonish. Djali dhe pasardhësi i tij, Mojtaba, nuk është shfaqur në publik që kur është bërë udhëheqës i vendit. (Fitim Kryeziu, TVM2)