Ekonomi
Vazhdon shqyrtimi i amendamenteve për ribalancin e Buxhetit
11.07.2026 11:41
Sot, Komisioni parlamentar për Financim dhe Buxhet do ta vazhdojë shqyrtimin e amendamenteve për ribalancin e Buxhetit....

Sot, Komisioni parlamentar për Financim dhe Buxhet do ta vazhdojë shqyrtimin e amendamenteve për ribalancin e Buxhetit. Për ribalancin janë dorëzuar gjithsej 224 amendamente, prej të cilave 90 nga BDI, 78 nga LSDM, 51 nga E Majta dhe pesë nga VLEN. Deri më tani, Komisioni ka shqyrtuar një numër amendamentesh.
Të hyrat e përgjithshme në ribalanc janë projektuar në 379,2 miliardë denarë, që paraqet rritje prej rreth 4,2 miliardë denarësh, ose 1,1 për qind, krahasuar me Buxhetin fillestar për vitin 2026. Shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në 425,2 miliardë denarë. Janë siguruar mjete shtesë për investime kapitale, të cilat arrijnë në afro 46 miliardë denarë, me një rritje prej rreth 5,8 miliardë denarësh, ose 14,5 për qind.
Rritja ekonomike është projektuar në 3,5 për qind, inflacioni në 4,5 për qind, ndërsa deficiti buxhetor në 4,1 për qind të BPV-së.
