BDI, dega Tetovë, për së dyti herë do të protestojë në sheshin e qytetit, kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për emërtimin e rrugëve në Tetovë. Protesta do të nisë nga Sheshi i Tetovës dhe do të vazhdojë deri para objektit të Komunës së Tetovës. Mirëpo, Menduh Thaçi, Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, e ka cilësuar si hipokrizi protestën e organizuar nga BDI. Sipas Thaçit, BDI dhe lideri i saj, Ali Ahmeti, po protestojnë kundër vetvetes, pasi, siç tha, për vite me radhë nuk e zgjidhën këtë çështje, ndonëse kishin mundësinë ta bënin. Ai gjithashtu pyeti pse BDI-ja nuk i ndryshoi emrat e rrugëve dhe bulevardet në Kërçovë, por tentoi ta bëjë këtë në Tetovë, vetëm për ta vënë në pozitë të vështirë PDSH-në, e cila në atë kohë ishte pjesë e Qeverisë.
“Çështja e emërtimit të rrugëve në Tetovë është një shpërthim i hipokrizisë dhe i pafytyrësisë së zotit Ahmeti dhe të BDI-së. Kjo është tragjikomike, sepse të gjithë thonë se kjo është një protestë kundër vetes, por unë mendoj se kjo ka filluar të bëhet edhe e neveritshme. Është interesante se ai njeri që thotë se na ka çliruar dhe se Tetovës ia ka kthyer një pjesë të emërtimeve shqiptare është nga Kërçova. Çuditërisht, edhe ai që udhëheq protestat në Tetovë është nga Kërçova. Unë mendoj se tetovarët duhet të nisin një peticion që këta njerëz mashtrues e dallaveraxhinj t’i mbledhin plaçkat dhe të ikin nga kanë ardhur. Sepse t’u thuash tetovarëve se i ke çliruar dhe se ua ke vendosur emrat e rrugëve në shqip, ndërkohë që në Kërçovë ende ekzistojnë bulevardet ‘JNA’ dhe ‘Marshal Tito’, kjo është më shumë se pafytyrësi.”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.
Protesta vjen si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave të rrugëve dhe sheshit të qytetit dhe rikthimin e emrave të vjetër. BDI akuzon Komunën e Tetovës dhe kryetarin Bilall Kasami për heshtje institucionale dhe mosdorëzim të dokumentacionit në Gjykatë. Mirëpo, Kasami ka sqaruar se është BDI, ajo, që nga viti 2008 e deri në vitin 2024, si pjesë e qeverisë, nuk ka marrë vendim për të dhënë pëlqim për listën me emrat e rinj, të miratuar nga Këshilli komunal që në vitin 2006.
VISAR SADIKI