Ekonomi

Rebalanci i buxhetit, vazhdon shqyrtimi i amendamenteve të opozitës

11.07.2026 15:35

Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet vazhdoi debatin për amendamentet e propozuara në kuadër të rebalancit të Buxhetit....

Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet vazhdoi debatin për amendamentet e propozuara në kuadër të rebalancit të Buxhetit. Në rend dite ishin dhjetëra amendamente të dorëzuara nga LSDM-ja, me të cilat kërkohet rritje e mjeteve për bujqit, zjarrfikësit dhe kategoritë sociale.
 
“Ky amendament ka të bëjë me ndërtimin e një objekti zjarrfikës për Komunën e Staro Nagoriçanit. Disa herë e kemi paraqitur të njëjtin amendament, sepse kërkojmë që të ndërtohet ky objekt, ku do të vendoset brigada e zjarrfikësve, pasi aktualisht ata përdorin një hapësirë jo të përshtatshme.”, u shpreh deputeti i LSDM-së, Oliver spasovski. 
 
“Me këtë amendament kërkoj 5 milionë denarë për një qendër shtetërore grumbulluese dhe blerëse në Koçan. Me këtë do t’u mundësojmë fermerëve që të mos jenë të varur dhe të kushtëzuar nga qendrat private të grumbullimit, por të kenë çmime të drejta dhe plasman të sigurt për prodhimet e tyre.”, u shpreh deputeti i Së Majtës, Borislav Kërmov.
 
“Ne kërkojmë rritjen e mjeteve në kuadër të Programit 23, për mbështetjen e sigurisë sociale të grave që ushtrojnë veprimtari bujqësore. Kërkojmë që mjetet aktuale prej 500 mijë denarësh të rriten në 10.5 milionë denarë. Ky nuk është amendament që e rrit deficitin buxhetor, pasi mjetet sigurohen përmes ritrasnferimit të 10 milionë denarëve nga shpenzimeve rrugore në Qeveri.”, u shpreh deputeti i LSDM-së, Fatmir Byqtyqi.
 
Edhe në vazhdimin e kësaj seance u përsërit e njëjta praktikë si në ditët e kaluara, ku shumica e amendamenteve të propozuara nga opozita nuk morën mbështetjen e mazhorancës.
 
“Amendamenti nuk pranohet.”, tha zëvendës ministri i Ministrisë së Finansave, Nikollçe Jonkullovski.
 
“Vetëm për informimin e opinionit publik, mendoj se një politikë e tillë e krijimit të panikut duhet të ndalet, sepse nuk çon askund. Tani do ta shpjegoj edhe pse, sepse këto probleme nuk janë të reja.”, u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
 
Ky rebalanc, sipas mazhorancës, nuk është rezultat i mungesës së të ardhurave ose likuiditetit të shkatërruar, por më tepër i nevojës për të përafruar parashikimet e buxhetit me kushtet aktuale ekonomike globale.
 
REXHEP QAMILI