Festivali “Këngë Jeho”, hapet edicioni i 35-të jubilar

11.07.2026 15:45

Nën tingujt e këngës popullore u hap edicioni i 35-të jubilar i festivalit “Këngë Jeho” në Strugë....

Nën tingujt e këngës popullore u hap edicioni i 35-të jubilar i festivalit “Këngë Jeho” në Strugë. Festivali, që prej më shumë se tre dekadash ruan dhe promovon folklorin shqiptar, mblodhi artistë dhe dashamirës të muzikës tradicionale nga vendi dhe rajoni.
 
“Festivali do të zgjasë tri ditë. Në të do të marrin pjesë grupe nga vendi dhe rajoni, si dhe grupe nga vende të tjera, përfshirë ansamble nga Gjeorgjia, Bullgaria dhe Bosnja.”, u shpreh Mustafa Murtishi.
 
Kryetari i Komunës së Strugës u shpreh se “Këngë Jeho” është një pasuri kulturore kombëtare dhe se institucioni i komunës do të vazhdojë ta përkrahë dhe mbështesë festivalin edhe në të ardhmen.
 
“Është një kënaqësi e veçantë t’ju përshëndes sonte në emër të Komunës së Strugës dhe në emrin tim personal, në hapjen e edicionit jubilar të Festivalit mbarëkombëtar “Këngë Jeho”, i cili kremton plot 35 vjet jetë artistike. Sot mund të themi me krenari se “Këngë Jeho” ka fituar një dimension të ri. Nga një festival mbarëkombëtar, ai po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një festival me frymë ndërkombëtare, duke e bërë Strugën një pikëtakim kulturash dhe një ambasadore të dialogut përmes artit. Komuna e Strugës do të vazhdojë ta mbështesë këtë festival, sepse investimi në kulturë është investim në identitetin, kujtesën dhe të ardhmen tonë.”, u shpreh kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
 
Festivali “Këngë Jeho” do të vazhdojë edhe gjatë natës së dytë dhe të tretë me interpretime të këngëve dhe valleve tradicionale dhe internacionale, duke sjellë para publikut edhe kultura të tjera, përveç asaj shqiptare.
 
FITORE ISTREFI