31 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë, varrosen mbetje mortore të viktimave të zbuluara

11.07.2026 15:46

Bosnja dhe Hercegovina sot përkujton 31-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës...

Bosnja dhe Hercegovina sot përkujton 31-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, një nga krimet më të rënda në Evropë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1995, në varreza masive u gjetën dhe u identifikuan mijëra mbetje mortore të boshnjakëve të vrarë në Srebrenicë, në masakrën e udhëhequr nga Ratko Mladiqi dhe Radovan Karaxhiqi. Në ceremoninë përkujtimore në Potoçari, edhe këtë vit u varrosën mbetjet mortore të viktimave të identifikuara së fundmi, ndërsa shumë familje vazhdojnë ende të presin përgjigje për të afërmve të tyre. 
 
Lotët e familjarëve rikthyen dhimbjen e një plage të hapur edhe pas 31 vitesh. Adela Ramo Dautoviq ishte viktima më e moshuar e varrosur këtë vit në Potoçari. Ajo ishte 56 vjeç kur u vra gjatë gjenocidit të Srebrenicës. Familjarët e saj, me dhimbje dhe lot, përcollën në banesën e fundit edhe një tjetër viktimë të tragjedisë që vazhdon të lërë pasoja të thella.
 
“Gjatë vitit 2001 për herë të parë gjetëm pjesë të mbetjeve të dajës tim. Deri sot, në tri varreza të tjera masive janë gjetur mbetje të tij të tjera mortore, sepse si shumë viktima të tjera, edhe ai ishte zhvendosur nga një varr masiv në tjetrin. Sot vendosëm ta varrosim edhe pse trupi i tij nuk është i plotë. Unë tashmë jam 63 vjeç dhe pas 31 vitesh kemi nevojë për pak qetësi dhe paqe. Nëse do të jem gjallë, mbetjet e tjera do t’i varrosim përsëri në vendin e tij të përhershëm të prehjes.”, u shpreh Smajo Smaijloviç, daja i viktimës më të moshuar të varrosur këtë vit.
 
“Unë isha vetëm një vjeç kur ma vranë babain. Pas 31 vitesh, kjo ditë është shumë e rëndë për mua. Ngushëllim kemi vetëm faktin që tani e dimë se ku janë eshtrat e tij dhe ku mund të vijmë me fëmijët e mi për t’i bërë homazhe.  Sot e varrosëm babain tim me një trup jo të plotë, por nuk kishim më çfarë të prisnim. Unë nuk kam kujtime nga ai, por fatmirësisht nëna ime ka ruajtur një fotografi të vetme ku janë bashkë.”, u shpreh i biri i viktimës.
 
“Vetëm gjatë disa ditëve të korrikut u vranë më shumë se 8 mijë boshnjakë, mes tyre edhe më shumë se 600 fëmijë të mitur. Ky ishte gjenocid dhe këtë e vërtetuan edhe gjykatat ndërkombëtare. Kjo është një e vërtetë e dhimbshme që askush nuk ka të drejtë ta ndryshojë. Edhe sot, pas më shumë se tri dekadash, ne ende varrosim mbetjet mortore të viktimave të zbuluara së fundmi, të njerëzve tanë më të dashur. Shumë familje ende kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre, të fëmijëve, vëllezërve, baballarëve dhe bashkëshortëve. Shumë nëna nuk arritën të presin ditën kur do t’i varrosnin me dinjitet fëmijët e tyre. Ato u larguan nga kjo botë duke pritur të vërtetën që para tri dekadash ua morën me dhunë.”, u shpreh Hamdi Fejziç, kryetar i Komitetit Organizativ të Përkujtimeve të Srebrenicës.
 
Në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë në një enklavë që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Edhe sot, tre dekada më vonë vazhdojnë kërkimet për viktimat, ndërsa identifikimi i tyre mbetet i vështirë për shkak të zhvendosjes dhe fshehjes së trupave. Mbi 200 mijë njerëz u vranë gjatë luftës në Bosnje, ndërsa miliona të tjerë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre. Srebrenica mbetet një plagë e hapur dhe një kujtesë e dhimbshme për pasojat e urrejtjes dhe luftës.
 
REXHEP QAMILI