Pr/ndryshime në Kodin Zgjedhor, Mickoski: Propozimi është në tryezë

11.07.2026 15:47

Ende nuk dihet nëse pushteti dhe opozita do të gjejnë “gjuhë të përbashkët” për Kodin e ri Zgjedhor...

Ende nuk dihet nëse pushteti dhe opozita do të gjejnë “gjuhë të përbashkët” për Kodin e ri Zgjedhor dhe mënyrën e votimit të diasporës. Palët vazhdojnë të kenë dallime të theksuara, sidomos rreth modelit se si duhet të votojnë qytetarët jashtë vendit. 
 
Kryeministri Hristijan Mickoski përseri akuzoi opozitën se përmes “arsyetimeve të ndryshme” po e pengon miratimin e ndryshimeve ligjore. Sipas tij, kundërshtimet nuk lidhen me shqetësimet për procesin zgjedhor, por me frikën nga rezultati i ardhshëm zgjedhor. Mickoski thotë se Qeveria është e gatshme për kompromis dhe i kërkon opozitës të dakordohet për një tekst dhe metodologji të përbashkët për votimin e diasporës, duke garantuar se mazhoranca do ta pranojë atë propozim.
 
“Edhe një herë bëj thirrje për përgjegjësi dhe pjekuri nga ana e opozitës. Propozimi është në tavolinë, ne si koalicion qeverisës jemi të harmonizuar dhe u themi: uluni, dakordohuni, përgatiteni ju tekstin, angazhoni edhe ekspertë nëse është e nevojshme dhe na silleni për ta mbështetur. Por as këtë nuk po e bëjnë. Prandaj edhe një herë i ftoj liderët e LSDM-së, të së Majtës, të BDI-së, grupet parlamentare dhe deputetët që vijnë nga partitë e Ziadin Selës dhe Arben Taravarit, të ulen dhe të dakordohen. Le të përgatisin një propozim dhe të na e dorëzojnë. Ne do ta pranojmë atë që do të bien dakord ata. Nuk e di se çfarë më shumë mund të bëj për të qenë më korrekt se kaq.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Filipçe: Mekanizëm që mund t’i vjedhin zgjedhjet
 
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, kundërshton çdo ndryshim që sipas tij, mund të krijojë mundësi për manipulim të procesit zgjedhor përmes votës së diasporës. Ai tha se ky është një qëndrim parimor i partisë së tij.
 
“Pushteti nuk heq dorë nga një nen, me të cilin seriozisht mund të vihet në pikëpyetje legjitimiteti i çdo cikli të ardhshëm zgjedhor, përmes një mënyre të papërshtatshme të votimit, shumë ndryshe nga ajo që është tani për diasporën. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se ata nuk janë të interesuar për Evropën. Ne jemi të gatshëm dhe gjithmonë e mbështesim agjendën evropiane, por jo me çmimin që VMRO-ja të inkorporojë një mekanizëm me të cilin nesër mund t’i vjedhin zgjedhjet. Nëse e heqin nenin me të cilin ndryshohet mënyra aktuale e votimit të diasporës dhe pajtohen, atëherë le të formohet një grup pune, i cili nëse është e nevojshme mund të diskutojë për një mënyrë të përshtatshme se si do të votonte diaspora në një formë tjetër, për t’ua lehtësuar këtyre njerëzve. Por jo me shembuj të tillë, të cilët deri tani nuk kanë funksionuar në Evropë dhe të cilët asnjë vend evropian nuk i ka zbatuar. Mund të diskutojmë për kontroll më të madh të sistemit, për votim elektronik ose përmes postës, ndërsa në periudhën e ardhshme një grup ekspertësh le të japë përfundimin e tij.”, u shpreh lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Partia “E Di” e Maksim Dimitrievskit pjesë e qeverisë përkrah votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, por jo në ato lokale. Dimitrievski gjithashtu mbështet modelin me një njësi zgjedhore.
 
“Sa i përket votimit të diasporës në zgjedhjet lokale, ata janë rezidentë të komunave të tjera në shtete të tjera. Në disa prej tyre kanë të drejtë vote, prandaj ne nuk japim pëlqim për një masë të tillë. Ndërsa sa i përket propozimit për një njësi zgjedhore, partia “E DI”, si subjekt i ri politik, e mbështet atë absolutisht.”, u shpreh Maksim Dimitrievski, kryetar i partisë “E Di”.
 
Afati i fundit për harmonizimin e Kodit të ri Zgjedhor është 15 korriku. Nga gjithsej 10 reforma vendi ka përmbushur 9. Lidhja Shqiptare e Zijadin Selës kërkon që përpos zgjedhjeve presidenciale, diaspora të votoj online edhe për parlamentaret dhe lokalet në një model zgjedhor me tetë njësi. Por BDI pranon formulën një njësi zgjedhore, sikurse edhe E Majta, duke ia shtuar edhe kërkesën për financim të drejtë të partive gjatë fushatës zgjedhore.
 
REXHEP QAMILI