Botërori 2026, Spanja mund Belgjikën me rezultatin 2-1

11.07.2026 16:21

Kampionati Botëror po hyn në fazën e tij përfundimtare dhe sonte do të mësojmë dy gjysmëfinalistët e fundit...

Futbollistët e Spanjës fituan edhe një tjetër ndeshje në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale. Në çerekfinalen e zhvilluar në Los Anxhelos, ata mposhtën Belgjikën me rezultatin 2-1, pasi pjesa e parë u mbyll 1-1. Goli vendimtar erdhi në minutën e 88-të, kur portieri rezervë i Belgjikës, Lammens, u shndërrua në figurën tragjike të takimit. Ai e devijoi topin drejt Merinos, i cili arriti i pari dhe shënoi për fitoren 2-1. 
 
Në historinë e Kupës së Botës vetëm dy herë ka ndodhur që një futbollist i ardhur nga stoli të sigurojë kualifikimin në minutat e fundit të ndeshjes. Në të dy rastet këtë e ka bërë Mikel Merino. Edhe pse është një nga kombëtaret më të mëdha në botë, Spanja vetëm për herë të dytë në historinë e saj ka arritur në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Herën e parë ishte në vitin 2010 në Afrikën e Jugut, ku fitoi titullin botëror duke mundur Holandën në finale. Ndeshja gjysmëfinale Spanjë–Francë do të luhet më 14 korrik në Dallas, duke filluar nga ora 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore.
 
Sot është dita e 14-të e fazës me eliminim direkt dhe në program janë dy ndeshje çerekfinale. Ndeshja e parë do të zhvillohet në orën 23:00 sipas kohës sonë lokale në Majami, ku do të përballen Norvegjia dhe Anglia. Ndeshja e dytë do të luhet në natën mes së shtunës dhe së dielës, në orën 03:00 pas mesnate. Argjentina dhe Zvicra do të përballen në Kansas City. Zvicra, për herë të parë pas 72 vitesh ka arritur në çerekfinale të Kupës së Botës. Fituesit e dy ndeshjeve të sontme do të përballen mes tyre në gjysmëfinale. (Gazetar: Safet Ademi)