Takimet poetike “Guri i hyjneshës ilire Thanë”, mbyllin javën kulturore të Kërçovës

13.06.2015 15:45

Takimet poetike “Guri i hyjneshës ilire Thanë”, mbyllin javën kulturore të Kërçovës, manifestimin e mbështetur nga Komuna e Kërçovës që solli një varg aktivitetesh që begatuan jetën kulturore të shqiptarëve të rrethit të Kërçovës...

Poetët e shumtë që kishin ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, fillimisht i përshëndeti kryetarja e klubit të shkrimtarëve kërçovar “Mugullimi” Hava Ajdini dhe kryetari i LSHSHM Kalosh Çeliku.

Ato e vlersuan  kontributin e madh të krijuesve nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria, që e japin në këto mbrëmje poetike të organizuara në qytetin e Uskanës së lashtë, për të vazhduar traditën e poezisë edhe në këto kohë të vështira, nëpër të cilat po kalon shoqëria shqiptare.

Mbrëmjet poetike të verës, sollën vargje vërtetë të bukura, frymëzime dhe emocione që mund ti dhurojnë poetët e mëdhenj. Duartrokitje të fuqishme motivuese, iu dhuruan poetes së vogël kërçovare Fisnike Rasimi e cila prezentoi dy poezi nga libri i saj i parë “Kujtime nga jeta fëmijërore”.

Me vargjet e tyre u prezentuan Flora Brovina, Nikolla Spathari, Namik Selmani, Dhimitër Nica, Him Koça,  Petrit Ruka, Agim Xheka, Rami Kamberri, Riza Çako, Xhemile Adili, Xhelal Ademi, Flora Peci, Fatmira Loçi, Farida Zmijani, Agim Berisha, Hasije Kryeziu, Agim Bajrami, Adem Xheladini, Xhevdet Ukalli, Shyqyri Gagica, Riza Braholli, Kalosh Çeliku, Adem Gashi, Xhelal Lucaj, Vlladimir Muça, Agron Xhalliu, Dan Ibraimi, Artan Meta e Alfred Moloholli.

Vargjet e prezentuara në këto mbrëmje poetike lanë mbresa të thella tek dashamirët e poezisë. Takimet poetike  “Guri i hyjneshës ilire Thanë”,  shënuan mbylljen e javën kulturore të Kërçovës e cila sivjet ishe shumë më e begatë se në vitin e kaluar. Kryetari i komisionit për kulturë në Këshillin e komunës së Kërçovës, Ibrahim Koça, manifestimin e sivjetëm e vlerësoi si shumë cilësor dhe të gërshetuar me aktivitete të rëndësishme, që pasurojnë jetën kulturore të rajonit të Kërçovës.

Marrë nëpërgjithësi, mbrëmjet e javës kulturore të Kërçovës, të organizuara nga shoqatat kërçovare me financimin e komunës së Kërçovës e arsyetuan qëllimin e kryetarit dehari, si me përmbajtjen ashtu edhe me cilësinë e organizimit, i cili ngjalli një interesim t6ë jashtëzakonshëm tek publiku i Kërçovës. (Shaban Dalipi, TVM2)