Ekzekutimi i penaltive, Miftari: Portierët sot janë më të përgatitur se kurrë
11.07.2026 16:22
Penalltitë nuk janë më garancia e golit që kanë qenë dikur...

Penalltitë po rezultojnë gjithnjë e më pak të sigurta në futbollin modern. Edhe pse dikur konsideroheshin goli më i lehtë, statistikat tregojnë se portierët po arrijnë t'i ndalin gjithnjë e më shpesh goditjet nga pika e bardhë.
Kjo u pa edhe në ndeshjen ku Franca fitoi një penallti në rezultatin 0 me 0. Kylian Mbappé përdori stilin e njohur me ngadalësim gjatë vrapimit për të mashtruar portierin, por goditja e tij ishte e dobët dhe portieri maroken, Yassine Bounou, e priti pa vështirësi.
Teknika e ndalimit të shkurtër gjatë vrapimit lejohet nga rregullat e FIFA-s, për sa kohë lojtari nuk ndalet menjëherë para goditjes së topit. Megjithatë, të dhënat tregojnë se kjo mënyrë nuk është aq efektive sa mendohet.
Nga 26 penallti të ekzekutuara me këtë stil, 11 janë humbur, ndërsa penalltitë e goditura me një vrapim normal kanë pasur një përqindje më të lartë suksesi.
Sipas trajnerëve dhe analistëve, portierët sot janë më të përgatitur se kurrë falë analizave me video dhe stërvitjeve të specializuara.
"Kjo nuk është rastësi në Kupën e Botës që po zhvillohet sivjet. Është vërejtur se portierët po presin më shumë penallti se zakonisht dhe ka disa arsye për këtë. Arsyet kryesore janë analiza e mënyrës se si çdo futbollist i ekzekuton penalltitë. Portierët hyjnë në ndeshje duke e ditur stilin e goditjes së secilit lojtar. Po ashtu, stërvitjet e specializuara për portierët janë avancuar shumë, duke studiuar teknikën e goditjes, gjuhën e trupit dhe këndin e goditjes. Ndikon edhe presioni psikologjik mbi futbollistët.”, u shpreh Dardan Miftari
Një tjetër faktor është edhe pritja e gjatë para ekzekutimit të penalltisë. Për shkak të verifikimeve me sistemin VAR, lojtarët shpesh presin nga dy deri në katër minuta para se të godasin topin, kohë që, sipas analistëve, ndikon në përqendrimin dhe rrit presionin psikologjik. Ndërkohë, evoluimi i rolit të portierit ka ndryshuar edhe mënyrën se si mbrohet porta.
"Në futbollin modern kërkohen portierë shtatlartë. Një nga arsyet është se ata janë më të sigurt në pritjen e penalltive, por edhe gjatë daljeve në krosime dhe ndërprerje të lojës. Në stërvitjet moderne i kushtohet shumë rëndësi shpejtësisë së këmbëve dhe koordinimit. Sot portieri konsiderohet futbollisti i fundit, por edhe një nga më të rëndësishmit në ndërtimin e lojës. Trajnerët më të mirë në botë kërkojnë portierë që luajnë mirë me këmbë dhe që funksionojnë si libero i skuadrës.”, u shpreh Miftari.
Me përgatitjen gjithnjë e më profesionale të portierëve dhe analizat e detajuara të kundërshtarëve, penalltitë nuk janë më garancia që kanë qenë dikur. Në futbollin modern, përballja mes ekzekutuesit dhe portierit është shndërruar në një duel taktik, teknik dhe psikologjik, ku shpesh fitues del ai që ruan më shumë qetësinë. Deri në ndeshjen Spanja – Portugalia, janë ekzekutuar gjithsej 60 penalti, pre të cilave 39 janë realizuar dhe 21 janë humbur, që do thotë vetëm 65% pre tyre janë shfrytëzuar që janë jep shkallën më të ulët të një kampionati në 60 vitet e fundit. (Gazetar: Safet Ademi)
