Botë

Lufta ShBA-Iran, ultimatum 24-orësh për hapjen e Hormuzit

11.07.2026 16:50

Administrata amerikane i ka dhënë Teheranit një ultimatum 24-orësh...

Administrata amerikane i ka dhënë Teheranit një ultimatum 24-orësh për të konfirmuar se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për transportin ndërkombëtar detar dhe për të ndaluar sulmet ndaj anijeve tregtare. Në të njëjtën kohë, Presidenti Trump ka urdhëruar ushtrinë të sulmojë Iranin në rast të një atentati ndaj tij, pas thirrjeve për vrasjen e tij gjatë funeralit të Ajatollah Ali Khameneit.
 
“1,000 raketa janë të bllokuara dhe të ngarkuara dhe të drejtuara drejt Republikës Islamike të Iranit, me mijëra të tjera që do të pasojnë menjëherë nëse qeveria iraniane vepron sipas kërcënimit të saj, të bërë në shumë pjesë të botës, për të vrarë ose për të tentuar të vrasë Presidentin në detyrë të Shteteve të Bashkuara, në këtë rast, MUA!”, tha president i ShBA-ve, Donald Trump.
 
Irani kërkon respekt të ndërsjellë
 
Ministri i jashtëm i Iranit akuzoi SHBA-në për shkelje të memorandumit të mirëkuptimit, duke thënë se Uashingtoni nuk kishte përmbushur detyrimet e tij për sanksionet dhe vendosjet ushtarake. Ministria e Jashtme iraniane mohon se ka kërkuar negociata të reja me Uashingtonin, por ka pranuar vetëm një iniciativë ndërmjetësimi nga Katari për bisedime.
 
“Irani e ka mbajtur fjalën e tij deri më tani, ndryshe nga i ashtuquajturi Sekretar i Thesarit të SHBA-së, i cili po shkel paragrafin 9 të Memorandumit të Mirëkuptimit. Kjo shkelje vjen pas shkeljeve të tjera dhe hapave të gabuar nga SHBA-të. Kontroll realiteti: Mund të ketë vetëm respekt të ndërsjellë.”, u shpreh ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi.
 
Programi bërthamor, temë edhe në Këshillin e Sigurimit
 
Irani dhe programi bërthamor është temë edhe në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
 
“Përfundimi i një marrëveshjeje të qëndrueshme, me anë të së cilës Irani nuk do të fitojë kurrë armë bërthamore, mbetet një prioritet. Franca mbështet negociatat e hollësishme që janë duke u zhvilluar me Shtetet e Bashkuara për çështjen bërthamore.”, u shpreh përfaqësuesi i Francës në OKB, Jerome Bonefon.
 
“Ne kemi qenë dëshmitarë të Iranit duke vendosur raketa lundrimi dhe dronë, armë të kufizuara sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit, kundër anijeve tregtare që kalojnë ligjërisht nëpër ujërat dhe infrastrukturën e Omanit në Bahrein, Jordani, Kuvajt dhe Katar. Udhëheqësit e Iranit kanë një mundësi historike për të transformuar vendin e tyre për popullin e tyre. Zgjedhja është e tyre.”, u shpreh zëvendës përfaqësuesja e ShBA-së në OKB, Tami Bruce.
 
Më 17 qershor, SHBA-të dhe Republika Islamike nënshkruan një marrëveshje të përkohshme armëpushimi që pritet të çojë në një marrëveshje përfundimtare mbi programin bërthamor dhe paqen në Lindjen e Mesme brenda një periudhe negociuese 60-ditore.
 
FITIM KRYEZIU