BDI vazhdon protestat në Tetovë, kërkon votim të ri për emrat e rrugëve
BDI organizoi këtë të shtunë protestën e dytë në Tetovë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese...

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) organizoi këtë të shtunë protestën e dytë në Tetovë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi vendimin e vitit 2007 për emërtimin e disa rrugëve dhe shesheve në qytet.
Protesta nisi nga sheshi i Tetovës dhe vazhdoi me marsh drejt objektit të Komunës. Pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe shprehën kundërshtimin ndaj rikthimit të emrave të mëparshëm të disa rrugëve dhe shesheve, ndërsa mes mesazheve të tyre ishin "Historia nuk abrogohet" dhe "Edhe rrugët flasin shqip".
Kryetari i Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, deklaroi se protesta është reagim ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se partia kërkon që Këshilli i Komunës së Tetovës të mbajë një seancë të jashtëzakonshme ku të shqyrtohet dhe të votohet për emërtimin e rrugëve dhe shesheve. Ai shtoi se BDI kërkon gjithashtu emërtimin edhe të rrugëve që ende nuk kanë emër zyrtar.
Rexhepi bëri të ditur se protesta do të vazhdojnë derisa Komuna të organizojë seancën e kërkuar, ndërsa paralajmëroi edhe kallëzime penale ndaj personave që, sipas tij, kanë zhdukur dokumentacionin dhe procesverbalet që lidhen me ndryshimin e emrave të rrugëve.
Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës ka bërë të ditur se është e gatshme të thërrasë një seancë të tillë, por vendimi nëse do të ketë votim për emërtimet do t'i takojë Këshillit Komunal.
Gjykata Kushtetuese më 17 qershor shfuqizoi vendimin e Këshillit të Komunës së Tetovës të miratuar në vitin 2007, me të cilin sheshi i qytetit dhe disa rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa disa të tjera u riemërtuan në maqedonisht. Sipas Gjykatës, vendimi ishte marrë pa pëlqimin paraprak të Qeverisë, siç parashikohet në Ligjin për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.
