Anglia dhe Argjentina pas kohës shtesë shkojnë në gjysmëfinale

12.07.2026 11:46

Anglia dhe Argjentina kanë siguruar kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Botës pas ndeshjeve dramatike të çerekfinales....

Kombëtarja e Anglisë u kualifikua në gjysmëfinalen e Kupës së Botës pasi në çerekfinalen e zhvilluar në Majami mposhti Norvegjinë me rezultatin 2:1 (1:1, 1:1) pas kohës shtesë. Norvegjia kaloi në epërsi me golin e Andreas Schjelderup në minutën e 36-të, ndërsa përmbysjen e realizoi Jude Bellingham me dy gola në minutat 45+2 dhe 93. Këto ishin golat e tij të pestë dhe të gjashtë në këtë Botëror.
 
Në paraqitjen e saj të katërt në Kupën e Botës, Norvegjia arriti suksesin më të madh në histori duke mbërritur në çerekfinale, por aty u eliminua. Ndërkohë, "Tre Luanët" vazhdojnë rrugëtimin drejt titullit të parë madhor që nga triumfi në Kupën e Botës të vitit 1966.
 
Kampionia në fuqi, Argjentina, siguroi gjithashtu gjysmëfinalen, pasi mposhti Zvicrën me rezultatin 3:1 pas kohës shtesë. Në gjysmëfinale, Argjentina do të përballet me Anglinë, e cila gjithashtu kishte nevojë për vazhdime për të eliminuar Norvegjinë. Në gjysmëfinalen e parë, të martën në Dallas, do të përballen Franca dhe Spanja. Kështu, për herë të parë në histori, katër kombëtaret e para në renditjen botërore janë pjesë e gjysmëfinaleve të Kupës së Botës. Franca kryeson renditjen, e ndjekur nga Argjentina, Spanja dhe Anglia. (Gazetar: Safet Ademi)