Maqedoni
BDI në protestë, kërkoi dorëheqjen e Kasamit
12.07.2026 15:05
BDI, Dega Tetovë, protestoi mbrëmë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese...

BDI, Dega Tetovë, protestoi mbrëmë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila disa muaj më parë shfuqizoi emrat e rinj të rrugëve, duke rikthyer në fuqi emërtimet e mëparshme. Nga protesta, BDI bëri të ditur se është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por paraprakisht kërkon dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Tetovës, duke e akuzuar për paaftësi në menaxhimin e kësaj çështjeje. Protestuesit thanë se kryetari i komunës nuk i ka dorëzuar me kohë materialet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese, duke e konsideruar atë përgjegjës për situatën e krijuar.
“Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje që sot. Megjithatë, kërkesa jonë për një pikë të re të rendit të ditës nuk mund të jetë shkak për shpërbërjen e Këshillit. Këshilli ka obligim ta zgjidhë këtë problem. Nëse shkohet në zgjedhje, kjo do të jetë me vullnetin e Komunës. Ne nuk kemi asnjë problem të përballemi me zgjedhje. Por, paraprakisht, kryetari i Komunës duhet të japë dorëheqje, pasi ka treguar paaftësi për ta zgjidhur këtë çështje. Më pas mund të flasim për zgjedhjet. Propozimi ynë nuk është identik me atë që ka shqyrtuar Gjykata Kushtetuese. Bëhet fjalë për 67 emra, ndërsa jo për 11, prandaj është absurde të thuhet se kjo është arsye për të shkuar në zgjedhje.”, u shpreh kryetari i degës së BDI-së në Tetovë Bajram Rexhepi
Çështja e emrave të rrugëve vazhdon të mbetet një nga temat më të debatueshme në Tetovë, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë përgjigje institucionale ndaj kërkesave të protestuesve dhe nëse kjo situatë do të ndikojë në zhvillimet e ardhshme politike në komunë.
VISAR SADIKI
