BDI në protestë, kërkoi dorëheqjen e Kasamit

12.07.2026 15:55

BDI, Dega Tetovë, protestoi mbrëmë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese...

BDI, Dega Tetovë, protestoi mbrëmë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila disa muaj më parë shfuqizoi emrat e rinj të rrugëve, duke rikthyer në fuqi emërtimet e mëparshme. Nga protesta, BDI bëri të ditur se është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por paraprakisht kërkon dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Tetovës, duke e akuzuar për paaftësi në menaxhimin e kësaj çështjeje. Protestuesit thanë se kryetari i komunës nuk i ka dorëzuar me kohë materialet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese, duke e konsideruar atë përgjegjës për situatën e krijuar.
 
“Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje që sot. Megjithatë, kërkesa jonë për një pikë të re të rendit të ditës nuk mund të jetë shkak për shpërbërjen e Këshillit. Këshilli ka obligim ta zgjidhë këtë problem. Nëse shkohet në zgjedhje, kjo do të jetë me vullnetin e Komunës. Ne nuk kemi asnjë problem të përballemi me zgjedhje. Por, paraprakisht, kryetari i Komunës duhet të japë dorëheqje, pasi ka treguar paaftësi për ta zgjidhur këtë çështje. Më pas mund të flasim për zgjedhjet. Propozimi ynë nuk është identik me atë që ka shqyrtuar Gjykata Kushtetuese. Bëhet fjalë për 67 emra, ndërsa jo për 11, prandaj është absurde të thuhet se kjo është arsye për të shkuar në zgjedhje.”, u shpreh kryetari i degës së BDI-së në Tetovë Bajram Rexhepi
 
Çështja e emrave të rrugëve vazhdon të mbetet një nga temat më të debatueshme në Tetovë, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë përgjigje institucionale ndaj kërkesave të protestuesve dhe nëse kjo situatë do të ndikojë në zhvillimet e ardhshme politike në komunë.
 
VLEN: BDI protestoi për privilegjet e humbura
 
Protesta e dytë e BDI-së për emrat e rrugëve dhe shesheve në Tetovë sipas VLEN-it nuk ishte protestë e qytetarëve, por një manifestim i frikës së një partie që po e sheh se po i mbaron koha politike. 
 
“Për më shumë se dy dekada, BDI kishte në dorë pushtetin lokal dhe qendror. Sot në vend që të kërkojë falje për premtimet e pambajtura dhe problemet që i la pas, del në rrugë duke u përpjekur të paraqitet si viktimë. Qytetarët nuk harrojnë se kush qeverisi me Tetovën për vite me radhë. Pretendimet për kinse pengimin e protestës janë edhe një përpjekje për të mbuluar realitetin; BDI nuk arrin më të mobilizojë qytetarët si dikur dhe kërkon alibi për dështimin e saj politik.”, – thuhet në kumtesën e VLEN-it.
 
Partia shqiptare në pushtet zotohet që çështja e emrave të rrugëve në Tetovë do të zgjidhet në mënyrë ligjore, institucionale dhe në interes të qytetarëve. 
 
Gjykata Kushtetuese i reagon politikës: Mos na përdorni për politikë ditore
 

Gjykata Kushtetuese kritikon ashpër përpjekjet për partizim dhe politizim të rëndë që parti të caktuara politike po përpiqen të imponojnë këto ditë me qëllim rritjen e dukshmërisë së tyre në hapësirën politike, duke përdorur punën, vendimet dhe aktivitetet ndërkombëtare të Gjykatës. Por jo vetëm kaq Gjykata Kushtetuese ka qenë cak i akuzave i shumë subjekteve politike për zhvillimet e fundit rreth ndryshimit të emrave të rrugëve edhe në Tetovë. 

“Gjykata u bën thirrje faktorëve politikë të demonstrojnë një kulturë më të madhe kushtetuese dhe politike dhe të punojnë në interes të shtetit dhe qytetarëve, dhe të mos lejojnë që dallimet politike dhe konfrontimet partiake të zhvillohen në kurriz të sundimit të ligjit dhe institucioneve që janë më të thirrura për të mbrojtur rendin kushtetues. Prandaj, kualifikimet nga disa faktorë politikë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë "kushtetuese" ose "të paligjshme" janë të palejueshme dhe absurde.”, – thuhet në reagimin e Gjykatës Kushtetuese. 
 
Gjykata në fund u bënë thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë përgjegjësi dhe përmbajtje në komunikimin publik dhe të përmbahen nga përhapja e gënjeshtrave dhe manipulimeve në kurriz të institucionit të vetëm që është mbrojtës i Kushtetutës dhe i rendit kushtetues dhe ligjor të shtetit.