“Luftë” politike rreth pr/ndryshimit të Kodit, VMRO-DPMNE: Lsdm kërkon alibi për humbjen

12.07.2026 15:56

Kodi Zgjedhor mbetet në qendër të përplasjes politike...

Kodi Zgjedhor mbetet në qendër të përplasjes politike mes pushtetit dhe opozitës maqedonase. Palët vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për bllokimin e procesit. Nga VMRO-DPMNE akuzuan se bllokimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor është një “projekt i përbashkët” i LSDM-së, i së Majtës dhe BDI-së, duke pretenduar se këto tri parti po përgatisin paraprakisht alibi nga frika e zgjedhjeve dhe humbjes së mundshme. Kërkesën e liderit të opozitës Venko Filipçe, për formimin e një grupi të ri punues ekspertësh, pas katër muajsh negociata në Kuvend, nga VMRO-DPMNE e cilësojnë si një tjetër justifikim për të mos arritur marrëveshje.
 
“Opozita, e udhëhequr nga LSDM-ja, E Majta dhe BDI-ja, nuk po lufton për një Kod Zgjedhor më të mirë, por që të mos ketë Kod Zgjedhor. Për herë të parë pas një periudhe të gjatë ekzistonte një mundësi reale që Kodi i ri Zgjedhor të miratohej me konsensus të gjerë politik. Për muaj me radhë, të gjitha partitë politike ishin të përfshira në bisedime, u harmonizuan tekstet, u pranuan propozime dhe u kërkua një zgjidhje e pranueshme për të gjithë. Por, kur duhej që marrëveshja të finalizohej, LSDM-ja, E Majta dhe BDI-ja vendosën të tërhiqen dhe ta bllokojnë të gjithë procesin. VMRO-DPMNE-ja vazhdon të mbajë qëndrimin që opozita të ulet dhe të dakordohet se çfarë kërkon, ndërsa ne do ta pranojmë menjëherë, vetëm që të lehtësohet votimi i diasporës.”, u shpreh Vallentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Pa kontroll, nuk ka votë diaspore
 
Ndërkohë, LSDM-ja mbetet në qëndrimin se pa pasur një mekanizëm të qartë kontrolli për votën e diasporës nuk do t’i mbështesë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ata akuzuan edhe Maksim Dimitrievskin se nuk ka kredibilitet të flasë për reformën zgjedhore, duke pretenduar se ai ka përfituar poste dhe mbështetje politike nga Mickoski. Socialdemokratët akuzuan qeverinë se i frikësohet reformave të vërteta evropiane dhe një procesi zgjedhor me kontroll të garantuar.
 
“Për qeverinë e Mickoskit, Evropa do të thotë fundi i tenderëve kriminalë dhe fundi i mosndëshkimit dhe mungesës së përgjegjësisë. Ndërsa, përgjegjësia është pikërisht ajo nga e cila ata ikin. Përderisa mund të marrë borxhe dhe përderisa ka para në buxhet, Mickoski do të vazhdojë ta mbajë Maqedoninë të izoluar, por kur t’i mbyllet ajo hapësirë, do të shfaqen justifikime të reja për zgjedhje të parakohshme, sepse nuk do të ketë para. Mickoski po kërkon alibi i nevojitet për të vazhduar me gënjeshtrat e tij. Ai nuk mund të pranojë se e ka shkatërruar ekonominë dhe se vendi nuk ka dalje, prandaj do t’i rikthehet fushatës së vjetër nacionaliste për patriotë dhe tradhtarë. Vetëm se këtë herë populli e di të vërtetën dhe ai do të fitojë, ndërsa do të fitojë edhe Maqedonia evropiane.”, u shpreh Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
  
Ditë më herët, lideri i partisë “E Di” Maksim Dimitrievski, si pjesë e qeverisë, u shpreh se mbështet votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, por jo në ato lokale. Ai gjithashtu mbështet modelin me një njësi zgjedhore. Afati i fundit për harmonizimin e Kodit të ri Zgjedhor është 15 korriku. Nga gjithsej 10 reforma vendi ka përmbushur 9. Lidhja Shqiptare e Zijadin Selës kërkon që përpos zgjedhjeve presidenciale, diaspora të votoj online edhe për parlamentaret dhe lokalet. Por, BDI pranon formulën një njësi zgjedhore, sikurse edhe E Majta, duke ia shtuar edhe kërkesën për financim të drejtë të partive gjatë fushatës zgjedhore.
 
REXHEP QAMILI