Nesër rikonstruimi i qeverisë, VMRO: Ekip që do përshpejtojë zhvillimin

12.07.2026 15:57

Kanë mbetur edhe pak orë deri në votimin e qeverisë së re të rikonstruuar....

Kanë mbetur edhe pak orë deri në votimin e qeverisë së re të rikonstruuar. Të hënën në seancë plenare do të votohet për përbërjen e re të qeverisë. Sipas agjendës dhe rregullores së paraparë, në orën 11:00 nis procedura për shkarkimin dhe emërimin e ministrave në tetë dikastere, respektivisht në një të tretën e kabinetit qeveritar. Nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, thanë se edhe pas këtij rikonstruimi, shumica qeverisëse do t’i rrisë sukseset dhe do të sjellë një ritëm më të përshpejtuar në reforma dhe qeverisje.
 
“Gjatë këtyre dy viteve kemi dëshmuar dhe treguar se si duhet të udhëhiqen institucionet shtetërore, si mund të realizohen me sukses një numër i madh projektesh dhe masash në interes të qytetarëve. E gjithë kjo ndërkohë që në të njëjtën periudhë kemi shlyer borxhe dhe kamata interesi të vjetra, ndërsa njëkohësisht historikisht janë rritur edhe pensionet dhe pagat. Prandaj, besoj se me rikonstruimin e nesërm qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja do të tregojë se di si ta përshpejtojë zhvillimin e Maqedonisë.”, u shpreh Vallentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
 
E Di: S’kemi humbur asgjë
 
Pas këtij rikonstruimi, partia “E Di” si pjesë e koalicionit qeveritar, lë postin ministror në Drejtësi, merr drejtimin e dikasterit të Bujqësisë, vazhdon të mbajë Ministrinë e Administratës Publike dhe fiton edhe një post zëvendësministror. 
 
“Ne si “E Di” nuk kemi humbur asgjë. Gjatë fushatës parazgjedhore kemi premtuar vetëm një shtet të qëndrueshëm. Gjatë dy viteve të fundit, “E Di” u përqendrua konkretisht në sektorët e administratës publike dhe shtetërore si dhe në Drejtësi, sepse këto ishin çështje shumë të rëndësishme për qytetarët. Procesi ynë në Ministrinë e Drejtësisë është përmbyllur me hartimin e më shumë se 36 ligjeve. Duke qenë se kemi menaxhuar dikastere kryesisht burokratike, mendoj se “E Di” duhet të zbresë drejtpërdrejt në terren dhe të punojë me qytetarët. Për këtë arsye kërkuam sektorin e Bujqësisë.”, u shpreh kryetari i partisë “E Di”, Maksim Dimitrievski.
 
LSDM: Rekonstruimi, vetëm një hap kozmetik 
 
Kështu nuk mendojnë socialdemokratët. Rikonstruimin e qeverisë, LSDM-ja e sheh si një hap kozmetik, përmes të cilit nuk do të ketë asnjë përfitim dhe asnjë përmirësim të gjendjes në institucione.
 
“Ky është vetëm një hapë kozmetik, një përpjekje për të mashtruar opinionin se gjoja diçka po ndryshon për t’u përmirësuar gjërat dhe se ministrat e rinj do të punojnë më mirë. Por mjafton të shohim vetëm një shembull, Fondin e Shëndetësisë, i cili është shkatërruar tërësisht, ndërsa tani kemi edhe një shpërblim me postin e ministrit të Shëndetësisë. Nuk presim asnjë përmirësim, sepse ajo që kanë treguar gjatë këtyre dy viteve nuk mund të rregullohet nga asnjë ministër, në cilindo resor që të vendoset. Bëhet fjalë për të njëjtët njerëz, të cilët Mickoski i zhvendos si në një tabelë shahu.”, u shpreh Bogdanka kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
 
Me këtë rikonstruim, partia VLEN fiton edhe një post ministror më shumë. Ajo do të udhëheqë Ministrinë e Drejtësisë, në krye me Jeton Shasivarin. Në duart e VLEN-it kalon edhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit, e cila do të drejtohet nga Sedat Sulejmani. Agon Ferati i propozuar nga VLEN, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve me Komunitetet.
 
Ministër i ri i Shëndetësisë do të jetë Sasho Klekovski, drejtori aktual i FSShM-së, ndërsa në vendin e tij do të emërohet Zlatko Perinski. Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale do ta drejtojë ministri aktual i Sistemit Politik, Ivan Stoilkoviq. Përveç Shëndetësisë, VMRO-DPMNE-ja do të udhëheqë edhe Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, e cila do t’i besohet zëvendësministrit aktual, Gjoko Velkovskit. Ministër pa resor për inkluzionin e komunitetit rom do të jetë Erxhan Demir.
 
REXHEP QAMILI