Modernizohet Qendra për Menaxhim me Kriza, vendosja e kamerave digjitale, efektive
12.07.2026 15:54
Gjendja me zjarret në vend aktualisht është stabile...

Gjendja me zjarret në vend aktualisht është stabile thekson për TVM2 drejtori i QMK-së, Muhamed Ali. Ai potencon se këtë vit janë më të përgatitur se vitet e kaluara dhe kanë afër 3 mijë thirrje në ditë, ndërsa gjatë sezonës së verës do të shtohen thirrjet deri në 6 mijë brenda ditës në numrin 112 për situata emergjente. Ai thekson se projekti për vendosjen e kamerave digjitale në disa zona më kritike po realizohet me sukses.
“Kemi vendos afër 50 kamera smart në vendet me rrezik potencial për zjarre dhe, momentalisht po funksionon. Aty ku kemi kamera nuk kemi asnjë zjarr. Afër 10 ditë kamerat që janë në përdorim nuk kemi asnjë zjarr në ato zona. Kamerat janë smart dhe nëse detektojnë zjarr apo tym informojnë brenda 20 sekondave QMK-në, sektorin për operativ dhe, operativi prej aty e shikon ku është zjarri me çka të intervenojmë dhe nga e çon era zjarrin. Shumë na lehtëson punën neve por edhe zjarrëfiksat në terren.”, u shpreh për TVM2 drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.
Nga QMK apeluan që qytetarët të jenë më të kujdesshëm në sezonën e verës për ruajtjen e ambientit jetësor.
“Ky projekt deri tani përcillet dhe është një fakt se çdo zjarr që ka filluar të ndizet në këto zona kyçe është intervenuar shpejtë dhe deri tani nuk kemi ende ndonjë zjarr të përmasave të mëdha. Më shumë nga gjitha mjetet dhe projekteve mund të ndihmojnë pasurinë e përgjithshme sikur të jetë e vetja.”, u shpreh për TVM2 Ferid Behluli nga QMK.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza informoi se së shpejti qytetarët do të kenë mundësi të përdorin aplikacionin e ri “Ku Je?”, i cili do të mundësojë komunikim më të shpejtë dhe më efikas me shërbimin 112 në situata emergjente.
“Prej ditës së parë kisha në plan sistemin “Ku je” aplikacion që qytetarët do ta kenë në telefonat e tyre, ku qytetarët në raste emergjente të dërgojnë lokacionin e saktë ku janë, video, foto gjithashtu dhe me video call ta marrin qendrën operative.”, theksoi për TVM2 drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.
Nga QMK theksojnë se së shpejti do të prezantohet një funksion i ri “Thirrje e Heshtur”, i cili do t’u lejojë viktimave të dhunës në familje dhe personave në rrezik të kërkojnë ndihmë në heshtje dhe në mënyrë të sigurt, pa pasur nevojë të flasin. Sipas tyre me futjen e këtyre funksionaliteteve të reja, vazhdon modernizimi i sistemit 112, me qëllim sigurimin më të madh për qytetarët, transmetim më të saktë të informacionit dhe një reagim më efikas nga shërbimet kompetente në situata emergjente.
VLORA LATIFI TOPOJANI
