Maqedoni

Kodi Zgjedhor, Nesimi: Votimi elektronik mbart rrezik manipulimesh

12.07.2026 16:12

Nesimi e sheh si domethënës faktin që komisionerja e BE-së për Zgjerim gjatë vizitës në vend nuk zhvilloi takim me liderët e opozitës...

Kundërshtimet e LSDM-së dhe Të Majtës ndaj ndryshimeve në Kodin Zgjedhor lidhen me frikën se VMRO-DPMNE po përpiqet të vendosë rregulla që i shkojnë në favor, ndërkohë që opozita mund ta përdorë këtë çështje edhe si arsyetim për një rezultat të dobët në zgjedhjet e ardhshme. Kështu vlerëson analisti Florian Nesimi, i cili e sheh si domethënës faktin që komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, gjatë vizitës në vend nuk zhvilloi takim me liderët e opozitës, duke e interpretuar këtë si një mesazh të mundshëm nga Brukseli për të nxitur arritjen e marrëveshjes për Kodin Zgjedhor. Lidhur me propozimin për votimin elektronik të diasporës, ai paralajmëron se një model i tillë mund të krijojë hapësirë për manipulime zgjedhore, pasi mungojnë mekanizmat e zakonshëm të identifikimit të votuesve. Tha se VMRO-DPMNE ka mbështetje të madhe të diasporës maqedonase që lehtë mund të arrijë pragun e konsensusit për zgjedhjen e presidentit prej 40 % me këtë edhe defaktorizimimin e votuesve shqiptarë.
 
“Sipas mendimit tim ndoshta duhet që kësaj çështje t’i rrekemi me më shumë kujdes për shkak se duhet të kemi parasysh se ky propozimi i votimit të diasporës është propozim i VMRO-DPMNE-së, dhe VMRO me siguri i ka bërë matematikat e saja dhe shqetësimi është sepse siç e dimë diaspora maqedonase ideologjikisht është shumë e afërt me VMRO-DPMNE-në dhe me siguri se në zgjedhjet e radhës parlamentare nëse voton edhe diaspora në mënyrë elektronike do të kemi fitore bindëse të VMRO-së dhe edhe këtu shqetësimet e opozitës maqedonase qëndrojë për shkak se mund që në atë mënyrë të bëhen manipulime të ndryshme zgjedhore. Siç e dimë ne që jetojmë këtu fizikisht dihet se nëpër çfarë filtrash kalojmë. Njëherë bëhet identifikimi pastaj dorëzimi i dokumentit personal gjurmët e gishtërinjve, nënshkrimi, ndërsa me votim elektorin të diasporës nuk ekzistojnë këto filtra dhe aty ekziston rreziku i manipulimeve zgjedhore.”, u shpreh analisti Florian Nesimi.
 
Nesimi: Me një njësi zgjedhore mund të humbim deputet
 
Sa i përket propozimit për kalimin në një njësi zgjedhore, Nesimi thotë se edhe pse ky model do ta barazonte peshën e votës në të gjithë vendin, llogaritjet e bazuara në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024 tregojnë se partitë shqiptare do të humbnin dy mandate, të cilat do t'u kalonin partive më të vogla maqedonase. Nesimi konsideron se sistemi aktual me gjashtë njësi zgjedhore nuk duhet të ndryshohet pa analiza të detajuara, duke theksuar se pikërisht ky model prodhoi përfaqësimin më të madh parlamentar të shqiptarëve në zgjedhjet e fundit.
 
“Personalisht mendoj se ky sistemi me gjashtë njësi zgjedhore siç e dimë në zgjedhjet e fundit parlamentare dy blloqe shqiptare prodhuan 32 mandate që është një numër rekord i deputetëve shqiptarë. Më shumë si shqiptarë ndoshta nuk kemi nevojë pikërisht në këto momente të ndryshojmë këtë sistem zgjedhorë kur e pamë se edhe ky na përshtatet me gjashtë njësi zgjedhore mirëpo normalisht me një kusht që të kemi edhe dy blloqe, një opozitarë dhe një që është në pushtet.”, theksoi analisti Florian Nesimi.
 
Aktualisht, edhe përkundër thirrjeve për harmonizimin e qëndrimeve për votim të diasporës akoma nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të dakordimit. 
 
Së fundmi kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se janë të gatshëm që t’u ofrojnë edhe më shumë para për financimin e fushatave, për të arritur kompromis. Edhe eurokomisarja për zgjerim Marta Kos ditë më parë kërkoi nevojën për konsensus për miratimin e Kodit Zgjedhor, që vendi të fitoj 4 milion euro para evropiane në kuadër të Planit të Rritjes. Afati final për dakordimin e Kodit Zgjedhor është 15 korriku. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI