Botë
ShBA-ja nis sulme të reja, Irani mbyll Ngushticën e Hormuzit
12.07.2026 17:07
Komanda Qendrore e SHBA-së ka nisur një valë të re sulmesh ndaj Iranit...

Komanda Qendrore e SHBA-së ka nisur një valë të re sulmesh ndaj Iranit pasi Teherani shënjestroi një anije me flamur qipriot që po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit. 140 objektiva ushtarake iraniane, duke përfshirë avionë raketash dhe dronë, rrjete komunikimi dhe vende mbikëqyrjeje bregdetare, u goditën nga forcat amerikane. Sekretari i Mbrojtjes Hegseth tha se Irani bëri një zgjedhje të keqe dhe tani po paguan çmimin.
“Iranit iu dha një mundësi tjetër për të demonstruar pajtueshmëri me Memorandumin e Mirëkuptimit pasi ishte përgjegjës për sulmet e mëparshme ndaj anijeve tregtare, por dështoi përsëri. Në përgjigje, Shtetet e Bashkuara po vendosin një çmim të lartë duke vazhduar të degradojnë aftësinë e Iranit për të sulmuar detarët civilë dhe anijet tregtare që kalojnë lirshëm nëpër Ngushticë e Hormusit. Sulmet po kryhen sipas udhëzimeve të Komandantit Suprem.”, u tha nga komanda qendrore e SHBA-së.
Brenda disa orësh nga sulmet e SHBA-së, Irani shënjestroi një bazë amerikane në Jordani, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahreini u përballën me raketa dhe dronë nga Irani. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha se kishte mbyllur rrugën ujore deri në njoftim të mëtejshëm dhe paralajmëroi për një përgjigje të ashpër ndaj agresionit të SHBA-së. Zhvillimet e fundit vijnë pas thirrjeve për hakmarrje të dërguara nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, në deklaratën e tij të parë publike që nga marrja e pushtetit.
“Ne premtojmë të hakmerremi për gjakun e pastër tuaj dhe të të gjithë martirëve të këtyre dy luftërave nga vrasësit kriminelë dhe të turpshëm. Kjo hakmarrje është vullneti i kombit tonë dhe sigurisht që duhet të zbatohet.”, u shpreh udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei.
Ministri i jashtëm i Iranit mbërriti dje në Oman për një debat mbi Ngushticën e Hormuzit. Përpjekjet diplomatike vazhdojnë pavarësisht deklaratës së Presidentit të SHBA-së Trump se armëpushimi ka mbaruar. Më 17 qershor, SHBA-të dhe Republika Islamike nënshkruan një marrëveshje të përkohshme armëpushimi që pritet të çojë në një marrëveshje përfundimtare mbi programin bërthamor dhe paqen në Lindjen e Mesme brenda një periudhe negociuese 60-ditore.
FITIM KRYEZIU
