Maqedoni

Kuvendi vendos për rikonstruimin e Qeverisë

13.07.2026 09:06

Kuvendi pritet që sot ta nisë seancën e 112-të...

Kuvendi do të shqyrtojë shkarkimin dhe emërimin e disa ministrave në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë.
 
Sipas propozimit, Igor Filkovi do të shkarkohet nga posti i ministrit të Drejtësisë, ndërsa në vend të tij propozohet Jeton Shasivari nga koalicioni VLEN. Ivan Stoilkoviq do të lirohet nga detyra si ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe do të emërohet ministër i Vetëqeverisjes Lokale. Ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, do të shkarkohet dhe pritet të emërohet drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor. Në vend të Azir Aliut, ministër i ri i Shëndetësisë propozohet Sasho Klekovski, i cili aktualisht drejton Fondin për Sigurim Shëndetësor. Për ministër të Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive propozohet Agon Ferati (VLEN). Ndryshime parashihen edhe në Ministrinë e Bujqësisë, ku Cvetan Tripunovski do të zëvendësohet nga Borçe Serafimovski - Lëvizja “E di”. 
 
Në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani do të shkarkohet, ndërsa në vend të tij propozohet Gjoko Velkovski (VMRO-DPMNE). Në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov do të zëvendësohet nga Sedat Sulejmani (VLEN). Ndërkaq, në postin e ministrit pa resor, në vend të Shaban Saliut, propozohet Erxhan Demir (VMRO-DPMNE).
 
Gjatë seancës pritet që kryeministri Hristijan Mickoski të arsyetojë ndryshimet në kabinetin qeveritar, të cilat i ka paralajmëruar prej kohësh. Sipas Rregullores së Kuvendit, pas propozimit për shkarkimin e një ministri hapet debat që mund të zgjasë deri në dy ditë. Ministri për të cilin është paraqitur propozimi ka të drejtë të deklarohet për 15 minuta, ndërsa ministrat e rinj zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.