Maqedoni

Mexhiti: Çairi do ta ketë festivalin e tij “Çarshia”

13.07.2026 13:31

Mexhiti ka paralajmëruar edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”...

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka paralajmëruar edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, një nismë e Komunës së Çairit, që synon të kthehet në një traditë të përvitshme dhe ta vendosë Shkupin edhe më fuqishëm në hartën kulturore të rajonit. Festivali do të mbahet prej 23 deri më 26 korrik, me ç’rast Suli Ani dhe Kurshumli Ani do të shndërrohen në skena ku muzika klasike do të takohet me trashëgiminë e Çarshisë së Vjetër. Nën drejtimin artistik të Inva Mulës dhe Dëshira Ahmetit, festivali do të mbledhë artistë të shquar vendorë dhe ndërkombëtarë, duke i dhënë qytetit një tjetër ngjarje me peshë në kalendarin kulturor.
 
“Sot kemi kënaqësinë të prezantojmë edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, një nismë e Komunës së Çairit që synon të krijojë një traditë të re artistike dhe ta vendosë Shkupin edhe më fuqishëm në hartën kulturore të rajonit. Nga 23 deri më 26 korrik, Suli Ani dhe Kurshumli Ani do të shndërrohen në skena ku muzika klasike do të takohet me historinë e Çarshisë së Vjetër, dhe ambiciet tona shkojnë përtej katër ditëve të festivalit, sepse në duam të ndërtojmë një institucion kulturor që do të rritet në çdo edicion dhe do të tërheqë artistë nga vendet e ndryshme dhe do ta bëjë Shkupin një vendtakim të përditshëm të artistëve dhe dashamirët e muzikës klasike nga rajoni dhe më gjerë.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
 
Mexhiti: Semaforë te kalimi ilegal në Bit Pazar
 
Sipas Mexhitit, festivali që vjen pas panairit të librit, ka një mision që shkon përtej skendës artistike, krijon hapësira ku trashëgimia takohet me krijimtarinë bashkëkohore, ndërsa identiteti ynë kulturor e kombëtar pasurohet dhe përcillet tek brezat që vijnë. I pyetur rreth mbikalimit në Bit Pazar, Mexhiti tha se po shqyrtohen dy mundësi. 
 
“Jemi duke shqyrtuar dy opsione, ku opsioni më i mundshëm është vendosja e semaforit aty, kurse opsioni tjetër është rrënimi i urrës meqë nuk është në funksion të plotë dhe nuk po shfrytëzohet nga qytetarët. Opsion mund të jetë edhe prishja e urës, me qëllim për ta rregulluar vendkalimin aty.”, - theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
 
Ky vendkalim fillimisht ishte mbyllur, por me kërkesë të tregtarëve, u vendos që përsëri të hapet.
 
FITIM KRYEZIU