Ekonomi
RMV – Kinë, themelohet Oda e përbashkët ekonomike
13.07.2026 13:51
Sot zyrtarisht u themelua Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Kinës...

Sot zyrtarisht u themelua Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Kinës, e cila ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit ekonomik, forcimin e lidhjeve mes komuniteteve të biznesit dhe nxitjen e shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve. Po ashtu përmes kësaj Ode synohet lehtësimi i kontakteve mes kompanive, promovimi i investimeve dhe krijimi i mundësive të reja për bashkëpunim në fusha të ndryshme ekonomike. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe Kinës, Zhaolong Shao, dhe zëvendëskryeministri përgjegjës për Sistemin Politik, Lupço Dimovski, vlerësuan se marrëdhëniet e qëndrueshme ndërmjet dy vendeve po shndërrohen në bashkëpunim konkret përmes institucioneve si kjo odë, e cila do të shërbejë si urë lidhëse mes bizneseve dhe qytetarëve.
“Ideja për themelimin e kësaj ode lindi nga një vizion i thjeshtë, por i rëndësishëm: të krijojmë një platformë të fuqishme dhe të qëndrueshme që do t’i lidhë bizneset nga Kina dhe Maqedonia e Veriut, do të nxisë tregtinë dhe investimet dhe do të hapë mundësi të reja për bashkëpunim dhe partneritet. Realizimi i këtij vizioni nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin, besimin dhe mbështetjen e shumë partnerëve, si dhe pa bashkëpunimin tonë të ngushtë me zonjën Sonja Pençova. Sot ky vizion bëhet realitet.”, - deklaroi kryetari i Odës Ekonomike RMV – Kinë, Zhaolong Shao.
“Jam i bindur se Oda Ekonomike е Maqedonisë dhe Kinës do të bëhet një partner i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Ajo do të kontribuojë në lidhjen e komuniteteve të biznesit, do të nxisë transferimin e njohurive dhe teknologjive, si dhe do të krijojë mundësi të reja për investime, tregti dhe zhvillim të përbashkët.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Sistemin Politik, Lupço Dimovski.
Këshilltari ekonomik dhe tregtar në Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në Maqedoninë e Veriut, He Binghua, tha se marrëdhëniet mes dy vendeve po forcohen, ndërsa bashkëpunimi ekonomik po avancon.
“Në dekadat e fundit, miqësia tradicionale ndërmjet dy vendeve tona vazhdimisht është thelluar, ndërsa bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar shënon zhvillim pozitiv. Gjithnjë e më shumë kompani maqedonase e njohin Kinën si një partner të rëndësishëm, gjë që dëshmon për perspektivat e gjera për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dypalësh.”, - u shpreh këshilltari ekonomik në Ambasadën e Kinës, He Binghua.
Menjëherë pas përfundimit të pjesës zyrtare u organizua edhe panel-diskutimi i parë me temë “Forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar ndërmjet Kinës dhe Maqedonisë së Veriut, mundësi, sfida dhe perspektiva të ardhshme”, ku përfaqësuesit e biznesit dhe ekspertët diskutuan për mundësitë e reja për investime, forcimin e lidhjeve afariste dhe perspektivat e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
REXHEP QAMILI
