Botë
Lindja e Mesme, kanë vazhduar sulmet ShBA - Iran dhe anasjelltas
13.07.2026 14:37
Ushtria amerikane sërish ka kryer sulme ndaj objektivave në Iran....

Ushtria amerikane sërish ka kryer sulme ndaj objektivave në Iran. Siç është bërë e ditur, në shënjestër ishin sistemet e mbrojtjes kundërajrore dhe stacionet e radarëve, me qëllim të kufizimit të aftësive të Teheranit për të sulmuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
“Ata janë njerëz shumë, shumë të këqinj dhe të sëmurë. Së fundmi patëm takime me ta. Ranë dakord për një marrëveshje. Një marrëveshje të përkryer për ne, pa armë bërthamore, jo këtë, jo atë. Hoqën dorë nga gjithçka. Dolën nga salla dhe brenda një ore lëshuan një dron drejt një anijeje. Thashë: Ju jeni njerëz të sëmurë!”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Ambasadori amerikan në OKB deklaroi se të gjitha opsionet mbeten mbi tavolinë, duke e akuzuar Iranin se nuk po i përmbahet Memorandumit të Mirëkuptimit të arritur në qershor.
“Mendoj se Irani ende beson se mund ta përdorë ekonominë globale si një mjet presioni. Pavarësisht nëse je palë në një konflikt, nuk mund të fillosh të qëllosh në të gjitha drejtimet, të sulmosh fqinjët, anije civile, infrastrukturë civile, të vendosësh mina në rrugët ujore ndërkombëtare dhe të sillesh si një regjim i papërgjegjshëm, për të cilin prej kohësh janë ngritur akuza. Bota qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara, se një sjellje e tillë është e papranueshme.”, - theksoi ambasadori i ShBA-së në OKB, Mike Valc.
Garda Revolucionare Islamike njoftoi se ka sulmuar bazat ushtarake amerikane në Kuvajt, Jordani dhe Bahrein. Ndërsa autoritete iraniane kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkeljen e memorandumit të mirëkuptimit, ndërsa ka shtuar se Irani do ta respektojë angazhimin e tij vetëm për sa kohë që ShBA-ja të bëjë të njëjtën gjë.
“Duke marrë parasysh katërmbëdhjetë klauzolat e memorandumit të mirëkuptimit, amerikanët, në këtë periudhë të shkurtër, në një mënyrë apo tjetrën, kanë shkelur përbërësit e tij të ndryshëm…Ne do të vazhdojmë të përmbushim angazhimet tona për sa kohë që pala tjetër mbetet e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj. Ne e kemi demonstruar këtë edhe në praktikë. Kudo që pala tjetër shkeli angazhimet e saj, edhe ne nuk i zbatuam tonat.”, - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Iraniane, Baghaei, po ashtu ka thënë se Irani nuk do të pranojë inspektimin e vendeve të tyre bërthamore nga mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, ka dhënë një “jo” të prerë duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me kërkesën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore për të vizituar vendet bërthamore të Iranit. Ndërkohë Bashkimi Evropian kërkon të marrë pjesë në negociatat ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
“Po diskutojmë seriozisht se si të sigurojmë praninë tonë në atë tryezë, në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet, sepse vendet e Gjirit jetojnë pranë Iranit dhe të gjitha këto kërcënime ndikojnë drejtpërdrejt tek ato, por gjithashtu kanë ndikim edhe mbi ne.”, - deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
Çmimet e naftës janë rritur më shumë se 3% në bursë, pasi sulmet e ripërtërira ushtarake ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ringjallën shqetësimet për dërgesat e energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit. Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent u rritën me 2.67 dollarë ose 3.51%, në 78.68 dollarë në mëngjes, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor të ShBA-së u rrit 2.48 dollarë ose 3.47 për qind në 73.89 dollarë për fuçi.
GYLTENE SINANI
