Kodi Zgjedhor, afati po skadon, partitë pa marrëveshje
13.07.2026 15:52
Të mërkurën skadon afati i fundit për miratimin e Kodit Zgjedhor, ndërsa përplasjet mes partive politike vazhdojnë pa shenja kompromisi....

Të mërkurën skadon afati i fundit për miratimin e Kodit Zgjedhor, ndërsa përplasjet mes partive politike vazhdojnë pa shenja kompromisi. Dështoi iniciativa e partisë opozitare E Majta për organizimin e një takimi me partitë opozitare, me qëllim harmonizimin e qëndrimeve rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. E Majta vazhdon të kërkojë vendosjen e një njësie të vetme zgjedhore, duke vlerësuar se një model i tillë do ta pasqyronte më realisht vullnetin e qytetarëve në përbërjen e Kuvendit. Përmes një komunikate, E Majta akuzoi LSDM-në se refuzon t'u bashkohet bisedimeve për këtë reformë, me qëllim, siç thonë, të ruajë modelin aktual zgjedhor dhe të shtyjë rënien e vet politike.
"Është veçanërisht simptomatike, që partia, e cila për vite me radhë pretendonte se angazhohej për një njësi të vetme zgjedhore, sot refuzon madje edhe të ulet në tryezë për të diskutuar një reformë të tillë. Nëse ende janë për një njësi zgjedhore, atëherë çfarë i pengon të marrin pjesë në bisedime? Nëse nuk janë më, le t'ua thonë këtë anëtarësisë së tyre.", thuhet nga partia E Majta.
Nga ana tjetër, LSDM-ja bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga E Majta, pasi e konsideron atë si një përpjekje të kryeministrit Hristijan Mickoski, përmes "satelitëve të tij", për të krijuar përshtypjen se opozita po bllokon reformën zgjedhore. LSDM-ja thekson se nuk është kundër votimit të diasporës, pasi qytetarët jashtë vendit edhe tani kanë të drejtë vote, por kundërshton mënyrën e votimit të propozuar nga pushteti, duke vlerësuar se ajo hap mundësi për manipulime zgjedhore.
"Rejtingu i Mickoskit është në minimum historik për shkak të gënjeshtrave të përditshme dhe premtimeve të papërmbushura. Po të ishin vërtet aq të fortë sa pretendojnë, nuk do t'u drejtoheshin metodave të tilla. Të vetmit që i frikësohen humbjes në zgjedhje janë pikërisht VMRO-DPMNE dhe Mickoski. Nuk është vetëm frikë nga opozita, por frikë nga përgjegjësia para ligjit. Frikë nga ajo që do të ndodhë kur të duhet të japin llogari për tenderët kriminalë, vjedhjen e parave të qytetarëve dhe korrupsionin sistematik. Prandaj po nxitojnë për zgjedhje të parakohshme. Rënia e rejtingut dhe humbja e qindra mijëra votave po e detyrojnë Mickoskin t'i shpallë ato sa më shpejt.".
Deputeti Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE deklaroi se ekziston një marrëveshje mes partive opozitare që ligji të mos miratohet. Ai tha se shumica parlamentare është e gatshme të pranojë të gjitha propozimet për të cilat opozita arrin marrëveshje por vija e saj e kuqe mbetet përfshirja e votimit të diasporës.
“Edhe njëherë theksojmë se me shumë gjasë ekziston një marrëveshje mes partive opozitare që ky ligj të mos miratohet. Ajo që është thelbësore dhe dua ta sqaroj është se të gjitha dallimet që këto parti i kanë mes vete dhe për të cilat do të arrinin marrëveshje, ne do t'i pranonim pa asnjë kusht, për sa kohë që në zgjidhjen ligjore është i përfshirë edhe votimi i diasporës. Mbetemi menjëherë të gatshëm ta pranojmë një zgjidhje të tillë ligjore.”, - theksoi Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE.
Edhe BDI-ja deklaroi se mbështet ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe modelin me një njësi zgjedhore. Arbana Pasholli nga BDI tha se partia nuk ka marrë ftesë nga E Majta, por theksoi se BDI-ja gjithmonë ka qenë e hapur për dialog.
“Nuk kam dijeni që nuk kemi marrë ftesë nga E Majta. BDI-ja edhe në të kaluarën, por edhe tani, ka qenë gjithmonë për dialog institucional dhe gjithëpërfshirës. Nëse marrim një ftesë të tillë, ajo sigurisht do të shqyrtohet në organet e partisë dhe aty do të vendoset nëse duhet të marrim pjesë.”, - u shpreh Arbana Pasholli nga BDI.
Eurokomisionarja për Zgjerim, Marta Kos, gjatë vizitës në vend kërkoi nevojën për konsensus për miratimin e Kodit Zgjedhor, që vendi të fitojë 4 milionë euro para evropiane në kuadër të Planit të Rritjes.
FLORIJE KAMBERI
