Rajon
Kuvendi i Shqipërisë, rrëzohet kërkesa për interpelancë për Zvërnecin
13.07.2026 15:29
PD-ja e PL-ja e bojkotuan edhe këtë seancë plenare...

PD-ja e PL-ja e bojkotuan edhe këtë seancë plenare, deri kur, sipas tyre, mazhoranca të pranojë debatin e të shqyrtojë kërkesat e protestuesve në Parlament. Socialistët, debatin politik e zhvilluan me opozitën e re, deputetët e “Lëvizjes Bashkë” e Partisë Mundësia. Përplasjet nisën kur mazhoranca rrëzoi kërkesën e tyre për interpelancë për çështjen e Rrjollit dhe Zvërnecit.
“Meqë ju keni folur për Zvërnecin e Rrjollin, s’mund ta pyesim ne ministrin e Brendshëm. Me ministrin e Brendshëm që e kalon kohën duke sulmuar njerëz që merren me protestën, e nuk merret me policinë e shtetit që ka dalë nga shinat. Kur ndodhi dhuna në Zvërnec nga bodigardët e oligarkut, disa ditë ministri tha se ia hoqëm licencat. Ka raportime serioze se këto kompani thjesht kanë ndërruar emrin.”, - deklaroi deputeti i PS-së, Erald Kapri.
Kapri thotë se kjo sjellje po shënon fundin politik të mazhorancës, por Balla e vuri përballë presionit.
“Për ju zotëri Balla, janë mbushur koshat me foton tuaj… Mund të gjesh vetëm në Bruksel rehat kur shkon e luan bixhoz.”, - theksoi Erald Kapri.
“Duhet të jesh maskara që një lojë me letra mes miqsh ta quash bixhoz. Ti erdhe deputet në këtë sallë falë numëruesve të Partisë Socialiste. Më dërgoje mesazhe që t'u kërkoja numëruesve tanë të mbronin votat e tua, se po t'i vidhte Partia Demokratike. I kam mesazhet dhe mund t'i bëj publike. Të kam thënë mos u kruaj me mua.”, - u shpreh Taulant Balla.
Ndërsa deputeti i “Lëvizjes Bashkë”, Redi Muçi, debatin e orientoi tek protesta 43 ditore.
“Një thirrje të fundit ia drejtoj Taulantit që çdo ditë merr fotot e orës 07:00 nga protesta dhe tallet me protestuesit. Kujdes se përballë nuk ke Saliun, por rininë shqiptare. Vazhdo me syleshtësinë tënde.”, - theksoi deputeti nga “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi.
“Nuk tallem me protestën, protesta kur nisi ishte e bukur. Meqë i ndiqni statuset e mia të orës 07:00, transparencë është ajo, tregon sesi kur hyri Saliu, Gonia, Qorri apo ndonjë tjetër, flamingot fluturuan dhe ngelën sorra si puna jote, e këtij tjetrit dhe Gonës. Flamingot janë zogj shumë të pastra dhe nuk rrinë me llumin, prandaj ikën nga ju, llum.”, - u shpreh kreu i grupit PS-ja, Taulant Balla.
Mazhoranca socialiste kishte edhe një tjetër shqetësim: Atë që e quan sulm të koordinuar ndaj bizneseve me vlerësime negative online nga ana e protestuesve.
LULJETA NDOKA
