Maqedoni
Kuvend, rikonstruimi i Qeverisë para deputetëve
13.07.2026 15:45
Parlamenti ka hapur debatin për rikonstruimin e Qeverisë...

Parlamenti ka hapur debatin për rikonstruimin e Qeverisë, emërimin e ministrave të ri në dikasterin e drejtësisë, shëndetësisë, politikës sociale, bujqësisë, marrëdhënieve midis bashkësive, vetëqeverisjes lokale dhe kulturës. Kryeministri Hristijan Mickoski, duke sqaruar nevojën e ndryshimeve ministrore, tha se një qeveri që nuk analizon punën e vet, ajo i nënshtrohet ngecjes. Mickoski para deputetëve kërkoi besimin jo për individë, por për një proces, që do ta rimëkëmbë vendin dhe brezat e ri.
“Sot ju ftoj që të vazhdojmë këtë mision, me më shumë mençuri se sa mendjemadhësi, me më shumë unitet se sa ndasi dhe me besim të plotë se obligimi ynë më i madh nuk është ndaj kësaj gjenerate politikanësh, por ndaj qytetarëve të ardhshëm maqedonas.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Deputeti i ASh-së, Halil Snopçe, tha se e gjithë kjo është spektakël, në vend se të merremi me problemet reale të qytetarëve.
“Sot më shumë se kurr, qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për bukë dhe lojëra, por institucione të cilat funksionojnë, sundimin e së drejtës, përgjegjësi dhe politika që zgjidhin problemet reale të qytetarëve, në vend të spektakleve dhe dezinformatave.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
Paraprakisht Parlamenti votoi shkarkimin e ministrave për Marrëdhënie midis Bashkësive, Ivan Stoilkoviq; të Drejtësisë, Igor Fillkov; Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski; Shëndetësisë, Azir Aliu; Bujqësisë, Cvetan Tripunovski; Politikës Sociale, Fatmir Limani; ministrit pa resor, Shaban Saliu, dhe ministrit të Kulturës, Zoran Lutkov. LSDM-ja me kritika për ministrin Lutkov.
“Dy vite kishim ministër aktor, i cili shumë mirë i aktroi këto dy vite, gënjeu për marrëveshjen kolektive, gënjeu Qeverinë, Sindikatën dhe punëtorët e kulturës. Premtoi më shumë buxhet, por nuk e tha arsyen.”, - u shpreh deputetja e LSDM-së, Bisera Kostadinovska.
Nga E Majta konsiderojnë se pas rikonstruimit do të vijojë kërkesa për zgjedhje në mungesë të rezultateve nëpër ministri.
“Atëherë kur do të vijë momenti që të kërkohen rezultate, dhe kjo kërkesë do të kulmojë në vitin 2027, ju do të kërkoni zgjedhje.”, - theksoi deputeti i Së Majtës, Borisllav Kërmov.
Deputetët shkarkuan edhe zëvendësministrat të Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Vellkovski, dhe zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani. Nga ministrat e shkarkuar vetëm Ivan Stoilkoviq do të zhvendoset në drejtimin e një dikasteri tjetër, Ministrinë e Pushtetit Lokal. Velkovski pritet të zgjidhet ministër i Sociales, ndërkaq Sulejmani, ministër i Kulturës.
MERAL ISMAILI
