Këshilli komunal i Tetovës, përplasje rreth propozimit për emrat e rrugëve

13.07.2026 15:52

Me përplasje mes këshilltarëve të opozitës dhe pozitës ka nisur seanca e 15-të e Këshillit Komunal në Tetovë...

Me përplasje mes këshilltarëve të opozitës dhe pozitës ka nisur seanca e 15-të e Këshillit Komunal në Tetovë. Këshilltarët e BDI-së kanë këmbëngulur që si pikë e parë e rendit të ditës të jetë propozimi për emërimin dhe riemërimin e rrugëve në Tetovë. Megjithatë, kjo kërkesë nuk është pranuar nga shumica e Këshillit. Ata kanë pranuar që kjo pikë të jetë pjesë e rendit të ditës, por jo si pika e parë. Këshilltari i VLEN-it, Albi Qamili, deklaroi se insistimi i BDI-së ishte vetëm një shfaqje për mediat.
 
"Ne e pranuam iniciativën e këshilltarëve të BDI-së. Nuk e kuptoj pse shtatë këshilltarë duhet të vendosin se cila pikë duhet të jetë e para në rendin e ditës. Vetë koordinatori tha se renditja nuk është problem, ndërsa tani po insiston që patjetër të jetë pika e parë. Pse? Nuk ka arsye. Rregullorja është e qartë. Ky debat po zgjatet vetëm për të bërë shfaqje para mediave.", - deklaroi këshilltari i VLEN-it, Albi Qamili.
 
Pas mosarritjes së një konsensusi që pika për emërimin dhe riemërimin e rrugëve të diskutohej e para, këshilltarët e BDI-së lëshuan seancën. Kjo ndodhi edhe pse kërkesa e tyre u pranua të përfshihej në rendin e ditës dhe të diskutohej në fund të seancës.
 
"Ne e lëshuam seancën e Këshillit, sepse pala tjetër nuk pranoi të bëjë kompromis. Për ne, çështja e emërimit të rrugëve është shumë e rëndësishme për shqiptarët. Ndërkohë, ata zgjedhin të merren me shitjen e parkingjeve dhe çështje të tjera që, sipas nesh, lidhen me interesa financiare dhe jo me interesin kombëtar. Kërkuam vetëm që kjo të ishte pika e parë e rendit të ditës. Nuk kemi ndërmend ta çojmë Këshillin drejt zgjedhjeve të parakohshme apo të krijojmë krizë politike. Ne jemi për zgjidhje, jo për probleme. Edhe nëse kjo pikë do të diskutohej më vonë, do të merrnim pjesë në debat. Në rend dite ka 25 pika dhe ne ishim të gatshëm të diskutonim për të gjitha.", - theksoi këshilltari i BDI-së, Berat Murati. 
 
Seanca e Këshillit Komunal në Tetovë vazhdoi pa praninë e këshilltarëve të BDI-së, ndërsa pika për emërimin dhe riemërimin e rrugëve mbeti e planifikuar për t'u shqyrtuar në fund të rendit të ditës.
 
VISAR SADIKI