Prokuroria dhe Këshilli i Prokurorëve, Kushtetuesja të reagojë për uljen e pagave
Këshilli i Prokurorëve Publikë, Prokuroria Publike dhe Shoqata e Prokurorëve Publikë...

Këshilli i Prokurorëve Publikë, Prokuroria Publike dhe Shoqata e Prokurorëve Publikë, me anë të një reagimi të përbashkët, shprehën shqetësim për, siç theksojnë ata, mosveprimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me iniciativat e paraqitura për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve ligjore, me të cilat janë ulur koeficientët për llogaritjen e pagave të prokurorëve publikë.
Në reagim thuhet se koeficientët për llogaritjen e pagave janë ulur për herë të tretë, duke krijuar, një pabarazi të madhe ndërmjet statusit të prokurorëve publikë dhe gjykatësve.
“Pavarësia financiare përbën një nga garancitë themelore institucionale për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të funksionit të prokurorit publik dhe nuk mund të jetë objekt i ndërhyrjeve arbitrare dhe të përsëritura pa arsye objektive, të qarta dhe të justifikuara nga Kushtetuta”, thuhet në reagim.
Ato njiherit rikujtojnë se Kushtetuta garanton pavarësinë e Prokurorisë Publike si organ shtetëror dhe vlerësojnë se kjo nuk është vetëm një përcaktim formal, por një garanci thelbësore që prokurorët publikë ta ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë profesionale dhe pa ndikim nga asnjë degë e pushtetit.
Sipas tyre, zgjidhjet ligjore me të cilat ulen pagat e prokurorëve publikë duhet t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë kushtetues, pasi ato mund të ndikojnë drejtpërdrejt në pavarësinë institucionale të Prokurorisë dhe në besimin e publikut ndaj punës së saj.
Në reagim theksohet gjithashtu se trajtimi i barabartë i pavarësisë së Prokurorisë Publike dhe pavarësisë së gjyqësorit është një standard i vendosur prej kohësh në shtetet moderne evropiane.
Si argument përmenden shembuj krahasues nga Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi.
“Presim që Gjykata Kushtetuese, si mbrojtëse e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, të sigurojë mbrojtje efektive dhe në kohë të parimit të ndarjes së pushteteve, sundimit të ligjit dhe pavarësisë së garantuar me Kushtetutë të Prokurorisë Publike”, thuhet në reagimin e Këshillit të Prokurorëve Publikë, Prokurorisë Publike dhe Shoqatës së Prokurorëve Publikë. Sipas tyre, çdo zgjidhje ligjore me të cilën, pa arsye objektive dhe të justifikuara nga Kushtetuta, ulen të ardhurat e tyre, krijon rrezik për cenimin e parimit të ndarjes së pushteteve.
Ata kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të mos lejojë që, përmes uljes së koeficientëve të pagave, të vendoset kontroll i tërthortë i pushtetit ekzekutiv mbi Prokurorinë, duke paralajmëruar se kjo mund të ketë pasoja edhe për segmentet e tjera të funksionimit të institucionit.
Ndryshimet e fundit në Ligjin për Pagat e Prokurorëve Publikë dhe Ligjin për Pagat e Anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë u miratuan në fund të muajit shkurt të këtij viti. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
