Kuvend, rikonstruimi i Qeverisë para deputetëve
Deputetët votuan emërimet e reja ministrore...

Deputetët votuan emërimet e reja ministrore në dikasterin e drejtësisë, shëndetësisë, politikës sociale, bujqësisë, marrëdhënieve midis bashkësive, vetëqeverisjes lokale dhe kulturës.
Kryeministri Hristijan Mickoski, theksoi se me ndryshimet po sjellin një energji të re në qeveri, që do të rimëkëmbë vendin dhe brezat e ri.
“Sot ju ftoj që të vazhdojmë këtë mision, me më shumë mençuri se sa mendjemadhësi, me më shumë unitet se sa ndasi dhe me besim të plotë se obligimi ynë më i madh nuk është ndaj kësaj gjenerate politikanësh, por ndaj qytetarëve të ardhshëm maqedonas.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Me këtë rikonstruim, VLEN fiton edhe një post ministror më shumë. Ajo do të udhëheqë Ministrinë e Drejtësisë, në krye me Jeton Shasivarin, Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, do ta drejtojë Sedat Sulejmani, ndërkaq Agon Ferati do të udhëheqë me Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve me Komunitetet.
VLEN konsideron se me ndryshimet e fundit përforcojnë pozicionet në qeveri.
“Sedat Sulejmani vjen për ta çuar përpara kauzën tonë për një kulturë dinjitoze, gjithpërfshirëse, meritore, të gjallë dhe të pastër nga skandalet korruptive.” – tha Deputetja e VLEN, Kaltrina Beqiri.
Opozita shqiptare me kritika se e gjithë kjo është spektakël, duke lënë anash problemet reale të qytetarëve.
“Sot më shumë se kurrë, qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për bukë dhe lojra, por institucione të cilat funksionojnë, sundimin e së drejtës, përgjegjësi dhe politika që zgjidhin problemet reale të qytetarëve, në vend të spektakleve dhe dezinformatave.” – u shpreh Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.
Për Frontin Evropian më shqetësues mbetet rotacioni i ministrit Stoillkoviq nga dikasteri i Sistemit Politik dhe marrëdhënieve midis bashkësive në ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, pasi i njëjti, sipas tyre dëmtoi Marrëveshjen e Ohrit.
“I njëjti ministër dërgohet në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe kjo bëhet për një arsye. Tani është në shënjestër shtylla tjetër kryesore e paqes, decentralizimi dhe ndarja territoriale e vitit 20024-të.” – tha Deputetja e Frontit Europian, Rina Ajdari.
Për socialdemokratët rikonstruimi nuk është fillim i ri, por vazhdimësi e një procesi që e shpien vendin në drejtim të gabuar.
“Kryetari i Qeverisë e maskoi sistemin e njëjtë kriminel që të mund edhe për ca kohë të mund ta mbajë në pushtet. Maqedonia nuk mund të shkoj përpara me qeveri të vjetër në një ambalazh të ri.” – theksoi Deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.
Paraprakisht parlamenti votoi shkarkimin e ministrave për marrëdhënie midis bashkësive Ivan Stoillkoviq, të Drejtësisë Igor Fillkov, Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, Shëndetësisë Azir Aliu, Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, Politikës Sociale, Fatmir Limani, ministrit pa resor Shaban Saliu dhe ministrit të Kulturës, Zoran Lutkov.
Deputetët shkarkuan edhe zëvenës ministrat e punës dhe politikës sociale, Gjoko Vellkovski dhe Zv.Ministrin e Kulturës, Sedat Sulejmani. (Meral Ismaili, TVM2)
