Maqedoni

Konferenca e 9-të Ndërqeveritare - Marta Kos: Shqipëria do të mbyllë tre kapitujt e parë të negociatave

14.07.2026 11:23

Shqipëria zhvillon Konferencën e 9-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian...

Shqipëria zhvillon Konferencën e 9-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e negociatave për anëtarësim në familjen evropiane. Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në këtë proces, duke theksuar se vendi është në rrugën e duhur dhe se gjatë kësaj konference do të mbyllë kapitujt e parë të negociatave.
 
Sipas saj, Shqipëria, së bashku me Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi, po regjistrojnë përparim të dukshëm në rrugën drejt integrimit evropian.
 
“Sot është një ‘Super e Martë’ për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që kryesojnë procesin – Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi – po hedhin të gjitha hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Me Ukrainën dhe Moldavinë po hapim Klasterin 6, i cili mbulon fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian janë veçanërisht të forta. Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë të negociatave. Ndërsa Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj. Tani, ky moment pozitiv duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, shkroi Marta Kos në rrjetin social “X”.
 
Komisionarja ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme se zgjerimi mbetet një nga prioritetet strategjike të Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se vendet kandidate që vijojnë reformat dhe përmbushin kriteret do të avancojnë më tej në procesin e anëtarësimit.