Botë
ShBA-ja godet sërish Iranin, rikthehet bllokada në Ngushticën e Hormuzit
14.07.2026 11:45
Ushtria amerikane njoftoi se ka kryer një valë të re sulmesh ajrore kundër objektivave në Iran...

Ushtria amerikane njoftoi se ka kryer një valë të re sulmesh ajrore kundër objektivave në Iran, me synimin për të siguruar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Sulmet u kryen vetëm disa orë pasi presidenti Donald Tramp tha se po rikthente bllokadën në këtë rrugë ujore strategjike.
Mediat amerikane raportuan më herët se presidenti Donald Tramp e ka njoftuar Kongresin gjatë fundjavës se Shtetet e Bashkuara janë sërish në luftë me Iranin. Pak para këtij postimi, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se mënyra e vetme për rikthimin e lundrimit normal në Ngushticën e Hormuzit është ndërprerja e ndërhyrjes ushtarake amerikane në këtë zonë.
Komanda e lartë e përbashkët ushtarake e Iranit deklaroi se ShBA-ja nuk ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e Ngushticës së Hormuzit, duke paralajmëruar se çdo shtet që bashkëpunon me Uashingtonin “mban përgjegjësi të plotë për përkeqësimin e sigurisë dhe përshkallëzimin e luftës në rajon”. Po më 13 korrik, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi se dy cisterna të vendit u goditën nga raketa lundruese iraniane në korsinë jugore të Ngushticës së Hormuzit, brenda ujërave territoriale të Omanit.
Trampi tha javën e kaluar se, sipas tij, memorandumi i mirëkuptimit nuk kishte më vlerë. Megjithatë, ai shtoi se negociatorët mund t’i vazhdojnë bisedimet nëse besojnë se mund të arrihet ndonjë marrëveshje e paqes.
Në një intervistë për CNN-in më 12 korrik, Trampi tha se ShBA-ja “i goditi shumë rëndë” forcat iraniane një natë më parë dhe pretendoi se Uashingtoni dhe Teherani ishin pranë një marrëveshjeje para përshkallëzimit të fundit.
“Ata ishin gati të pranonin gjithçka, por papritur, dy orë më vonë, goditën një anije me dron. Ka diçka që nuk shkon me këta njerëz.”, tha Tramp. Zyrtarë të lartë nuk pranuan të komentojnë përmbajtjen e këtyre propozimeve.
