Botë

ShBA – Iran, valë e re sulmesh ajrore

14.07.2026 13:44

Ushtria amerikane ka kryer një valë të re sulmesh ajrore kundër objektivave në Iran...

Ushtria amerikane ka kryer një valë të re sulmesh ajrore kundër objektivave në Iran. “Këto sulme do t’u shkaktojnë kosto të lartë forcave iraniane dhe do të dobësojnë aftësinë e tyre për të sulmuar civilët e pafajshëm dhe anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit.”, tha Komanda Qendrore e ShBA-së.
 
Ndërkohë mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa ishuj në jug të vendit. Presidenti amerikan Donald Tramp e ka njoftuar Kongresin se Shtetet e Bashkuara janë sërish në luftë me Iranin. Trampi tha se sulmet amerikane synojnë të neutralizojnë aftësinë e Iranit për të penguar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, përkatësisht rivendosjen e bllokadës detare të porteve iraniane dhe një tarifë prej 20 për qind për të gjithë ngarkesën që transportohet përmes Ngushticës së Hormuzit. 
 
“Ne e shkatërruam ushtrinë e tyre. Po i godasim shumë fort. Kishim një marrëveshje dje, ose pardje, gjithçka ishte përfunduar. Por, ata e prishën menjëherë atë marrëveshje, sepse zbuluan se kishte diçka në të që nuk u pëlqente. Ata veprojnë ndryshe dhe ne nuk do ta tolerojmë këtë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Irani nga ana tjetër u kundërpërgjigj me raketa të drejtuara ndaj Bahreinit dhe dy cisternave të lidhura me Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat po lundronin nëpër ngushticë. Si pasojë, humbi jetën një marinar, ndërsa tetë të tjerë u plagosën. Nga Ministria e Jashtme e Iranit thanë se Irani do të vazhdojë të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit. 
 
“Kushdo që siguron kalim të sigurt për anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit duhet të kompensohet për këtë shërbim. Irani ka qenë gjithmonë mbrojtësi i ngushticës dhe do të mbetet i tillë përgjithmonë.”, - ka thënë ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragçi.
 
Liga Arabe i bëri thirrje Teheranit të ndërpresë sulmet ndaj vendeve fqinje. 
 
“Respektimi i sovranitetit të shteteve arabe mbetet një parim vendimtar, shkeljen e të cilit nuk e pranojmë. Ndër kërcënimet më të rënda sot janë agresionet e hapura iraniane të drejtuara kundër sigurisë dhe sovranitetit të disa vendeve arabe. Çdo cenim i sigurisë së një shteti arab është cenim i sigurisë së të gjitha shteteve arabe.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Nabil Fahmi. 
 
Por, Komanda e lartë e përbashkët ushtarake e Iranit deklaroi se ShBA-ja nuk ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e Ngushticës së Hormuzit, si dhe ka paralajmëruar çdo shtet që bashkëpunon me Uashingtonin se “mban përgjegjësi të plotë për përkeqësimin e sigurisë dhe përshkallëzimin e luftës në rajon”.
 
GYLTENE SINANI