Maqedoni

Gjykata Kushtetuese: Politika të ndalë ndërhyrjet në punën e gjykatës

14.07.2026 13:53

Gjykata Kushtetuese vazhdon t'u bëjë thirrje aktorëve politikë të mos ndërhyjnë në punën e saj dhe të përmbahen nga politizimi i vendimeve gjyqësore....

Gjykata Kushtetuese vazhdon t'u bëjë thirrje aktorëve politikë të mos ndërhyjnë në punën e saj dhe të përmbahen nga politizimi i vendimeve gjyqësore. Nga institucioni vlerësojnë se sulmet dhe presionet politike ndaj Gjykatës Kushtetuese janë të papranueshme dhe se gjykata vendos ekskluzivisht mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, deklaroi se politizimi i gjykatës nisi në momentin kur u vendos që të mos mbaheshin më lëndë "në sirtar", duke bërë dallime mes rasteve "të ndjeshme" dhe atyre "më pak të ndjeshme". Sipas tij, protestat kundër vendimit për emërtimet e rrugëve në Tetovë janë, në thelb, protesta kundër sundimit të ligjit, pasi për 15 vjet ka ekzistuar mundësia që procedurat ligjore të zbatoheshin në mënyrë të rregullt. Kostadinovski hodhi poshtë edhe akuzat se vendimet e Gjykatës kanë prapavijë etnike.
 
“Protestat në rrugë dhe thirrjet për protesta i kam quajtur protesta kundër sundimit të ligjit, sepse nuk e shohin thelbin e çështjes. Për 15 vjet kanë pasur mundësi ta zbatojnë procedurën ligjore. Paramendoni sikur ne, duke mbyllur sytë ndaj një vendimi politik, të themi se vendimi i Komunës së Tetovës është në rregull. Ne kemi 80 komuna në shtet dhe të gjitha do të thoshin se Gjykata Kushtetuese ka krijuar praktikë që kushtet ligjore nuk kanë nevojë të përmbushen. Ajo që vlen për njërën, do të vlejë edhe për të tjerat. Shumë shpesh më etiketojnë si antishqiptar. Në komunikatë kam përmendur dy shembuj për shkollat, një në Qytetin e Shkupit dhe një në Çair, ku Gjykata Kushtetuese vendosi të mos hapë procedurë, sepse ishte respektuar procedura ligjore. Atëherë çfarë isha? Proshqiptar? Në njërin prej atyre rasteve unë isha gjyqtar raportues. Atëherë isha proshqiptar, ndërsa tani, për rastin e Tetovës, jam antishqiptar? Kjo është absurde dhe pa asnjë kuptim.”, - deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
 
Nga Gjykata Kushtetuese përsërisin se institucionet dhe partitë politike duhet të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të kontribuojnë në forcimin e shtetit të së drejtës, në vend që debatet juridike t'i shndërrojnë në përplasje politike apo etnike.
 
FLORIJE KAMBERI