Përplasja e gjigantëve, sot do të mësojmë finalistin e parë të kupës së botës

14.07.2026 14:09

Dy gjigantët e futbollit botëror, Spanja dhe Franca, do të përballen sonte në Dallas...

Dy gjigantët e futbollit botëror, Spanja dhe Franca, do të përballen sonte në Dallas, me fillim nga ora 21:00, për një vend në finalen e Kupës së Botës. Bëhet fjalë për një ndeshje mes kampionëve aktualë të Evropës dhe nënkampionëve aktualë të botës. 
 
Para gjysmëfinales së madhe kundër Francës, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, u ndal edhe te përballja e fundit mes këtyre dy kombëtareve, një vit më parë në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Atëherë Spanja fitoi me rezultat spektakolar 5:4, pasi pothuajse e shpërdoroi epërsinë 5:1 në 15 minutat e fundit.
 
“Ne mësuam shumë nga ajo ndeshje, por edhe ata. Do të përpiqemi të përsërisim situatat që na favorizuan atëherë dhe të shmangim gabimet. Janë dy skuadra që luajnë stile të ndryshme futbolli. Nëse do të arrish gjëra të mëdha në jetë, duhet të përgatitesh për vuajtje. Fakti që jemi shpallur favoritë nuk do të thotë absolutisht asgjë dhe nuk krijon asnjë presion shtesë për ne. Kemi një ndeshje jashtëzakonisht të vështirë përpara". tha Luis de la Fuente, trajneri i Spanjës.
 
Për Didier Deschamps, ky është një turne emocional, pasi pas 14 vitesh do të largohet nga posti i përzgjedhësit të Francës. Edhe pse Franca u eliminua nga Spanja në gjysmëfinalen e Euro 2024 dhe u mposht edhe në Ligën e Kombeve vitin e kaluar, Deschamps theksoi se rezultatet e së kaluarës nuk kanë rëndësi. 
 
“E kaluara është e kaluar. Spanja ka fituar më parë, por unë shikoj vetëm përpara. Ne jemi në një nivel tjetër tani dhe duam të arrijmë në finale. E dimë se kjo mund të jetë ndeshja më spektakolare e turneut. Edhe Luisi, edhe unë dimë të organizojmë mbrojtjen, por duke pasur parasysh cilësinë sulmuese të të dyja skuadrave, kemi të gjitha arsyet të besojmë se na pret një spektakël i vërtetë”. tha Didier Deshamp, trajner i Francës.
 
Fituesi i ndeshjes së sontme do të sigurojë një vend në finalen e Kupës së Botës, ku do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Anglisë dhe Argjentinës. (Gazetar: Safet Ademi)