Ekonomi
Ribalanci i buxhetit, vazhdon shqyrtimi i amendamenteve
14.07.2026 14:20
Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet vazhdoi debatin për amendamentet e propozuara në kuadër të ribalancit të buxhetit...

Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet vazhdoi debatin për amendamentet e propozuara në kuadër të ribalancit të buxhetit. Në rend dite ishin dhjetëra amendamente të dorëzuara nga opozita, e cila vlerëson se propozimi i Qeverisë për ribalancin e buxhetit nuk është zhvillimor. Për këtë arsye, opozita kërkon rritje të mjeteve për projekte infrastrukturore nëpër komuna, mbështetje për komunitetin rom, më shumë mjete për kategoritë e ndryshme sociale të rrezikuara, përfshirë edhe viktimat e dhunës seksuale dhe dhunës në familje dhe fëmijët me pengesa në zhvillim.
“Me këtë amendament ndërhyjmë në programin për deinstitucionalizim dhe shërbime sociale në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ku propozojmë të sigurohen mjete shtesë në vlerë prej 300 milionë denarësh, në mënyrë që deri në fund të vitit të mund të përmbushen të gjitha obligimet ndaj ofruesve të shërbimeve.”, - deklaroi deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.
“Me këtë amendament kërkojmë të sigurohen 30 milionë denarë shtesë për themelimin dhe funksionimin e pesë qendrave për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës seksuale, një obligim ligjor të cilin institucionet, për fat të keq, prej vitesh nuk e kanë përmbushur.”, - theksoi deputetja e Së Majtës, Jovana Mojsovska.
Edhe në këtë fazë të shqyrtimit të amendamenteve shumica parlamentare nuk i mbështeti kërkesat e opozitës, duke argumentuar se një pjesë e mjeteve të kërkuara tashmë janë paraparë në ribalancin e buxhetit për vitin 2026.
“Amendamenti nuk pranohet, pasi me ribalancin e buxhetit për vitin 2026 janë siguruar 100 milionë denarë shtesë për këtë qëllim, për mbështetjen e komunitetit rom. Sa i përket amendamentit për sigurimin e 30 milionë denarëve shtesë për ngritjen e qendrave për viktimat e dhunës në familje, edhe ky nuk pranohet. Deputetja kërkon 30 milionë denarë, ndërsa me ribalancin kemi siguruar jo 30, por 40 milionë denarë.”, - u shpreh zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Nikollçe Jankullovski.
“Meqë hapët edhe debat politik për funksionimin e ministrive gjatë kohës suaj, pati shumë kritika të drejtuara ndaj dobësive në sistemin e mbrojtjes sociale. Para vitit 2024 janë konstatuar keqpërdorime të ndihmës sociale për më shumë se 2.200 persona, të cilët, sipas vlerësimeve fillestare, nuk i kanë përmbushur kushtet për të marrë pension social. Ky është një tregues shumë shqetësues.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Martin Stojanovski.
Ky rebalanc, sipas mazhorancës, nuk është rezultat i mungesës së të ardhurave apo i likuiditetit të dobësuar, por i nevojës për të harmonizuar parashikimet buxhetore me kushtet aktuale ekonomike globale. Debati për amendamentet pritet të përfundojë të mërkurën, ndërsa votimi për ribalancin e buxhetit duhet të përfundojë deri në fund të muajit korrik.
REXHEP QAMILI
