Rikonstruimi i Qeverisë, Mexhiti: Nis fazë e re me më shumë përgjegjësi
VLEN-i e vlerëson si hap pozitiv rikonstruimin e Qeverisë...

VLEN-i e vlerëson si hap pozitiv rikonstruimin e Qeverisë. Sipas bashkëkryetarit të partisë, Izet Mexhiti, është konfirmuar stabiliteti politik dhe kohezioni i Qeverisë për të çuar përpara prioritetet strategjike të vendit.
Mexhiti thotë se ministrat e rinj do të gjykohen në bazë të punës dhe ndikimit që do të kenë tek qytetarët.
“Forcimi i shtetit ligjor, zhvillimi ekonomik, investimet, infrastruktura dhe integrimi evropian kërkojnë institucione që japin rezultate. Qytetarët kanë nevojë për një qeverisje që punon, jo për kriza artificiale apo kauza të rreme që prodhojnë përçarje. Çdo institucion, çdo ministër dhe çdo vendim do të gjykohet nga ndikimi që sjell në jetën e qytetarëve. Ky është standardi që kemi pranuar dhe përgjegjësia që mbajmë.”, ka shkruar bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në rrjetin social Facebook.
Filipçe i vlerëson me zero ndryshimet, ministrat e rinj marrin detyrat
Por, rifreskimi qeveritar me kuadro të ri është kritikuar nga LSDM. Kryetari i partisë, Venko Filipçe, është shprehur se nga kjo qeveri pa plan mund të presim vetëm një zero, standard të ulët, rritje çmimesh dhe rrugë të bllokuar evropiane.
Ai kritikoi edhe fjalorin denigrues të kryeministrit Mickoski drejtuar deputetëve.
“Qytetarët meritojnë respekt, dinjitet, kryeministër i cili bashkon, e jo njeri i cili i ndan dhe ofendon. Askush nuk i frikësohet Hristijan Mickoskit. Kjo formë e sjelljes është reflektim i dobësisë dhe paaftësisë së tij.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Nga VMRO-DPMNE kanë cilësuar si jo të denjë Filipçen për të kritikuar, pasi sipas tyre, ai nuk është prezent në seanca kuvendore kur flitet për interesat e qytetarëve.
Ditë më parë edhe partitë shqiptare opozitare kritikuan emërtimet e reja. BDI e ka quajtur riorganizim të dështimeve qeveritare. Kuvendi votoi emërimet e tetë ministrave të rinj.
Ministri i ri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot mori detyrën nga Igor Fillkovi. Sedat Sulejmani u vendos në krye të Ministrisë së Kulturës. Sasho Klekoski mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë nga Azir Aliu.
Në Ministrinë e Bujqësisë, Cvetan Tripunovski i dorëzoi detyrën e ministrit Borçe Serafimovskit nga radhët e Lëvizjes “E di”. Fatmir Limani dorëzoi detyrën e ministrit të Politikës Sociale, Gjoko Velkovski. Ivan Stoilkoviq nga Ministria për Sistem Politik kaloi në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, duke ia lëshuar vendin Agon Feratit nga radhët e VLEN-it. (Meral Ismaili, TVM2)
