Sot Shqipërisë i mbyllen 3 kapituj negociatash, Marta Kos: Super e marta e zgjerimit!
Në Bruksel do të zhvillohet sot Konferenca e 9-të Ndërqeveritare Shqipëri - Bashkimi Evropian....

Në Bruksel do të zhvillohet sot Konferenca e 9-të Ndërqeveritare Shqipëri - Bashkimi Evropian, ku Shqipëria do të mbyllë 3 kapitujt e parë në kuadër të procesit të integrimit.
Delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama do të ulet në Konferencën e 9-të Ndërqeveritare me Brukselin për të mbyllur kapitujt 25, 26 dhe 30, konkretisht për shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet me jashtë, fusha në të cilat Shqipëria konsiderohet plotësisht e njësuar me standardet e BE-së. Komisionarja për Zgjerimin, Marta Kos, përgëzoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë.
Ajo e quajti këtë ditë si super e marta, pasi në të njëjtën ditë mbahen 4 konferenca, ajo për Shqipërinë, Moldavinë, Ukrainën dhe Malin e Zi.
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, me anë të një postimi në rrjete sociale, thotë se mbyllja e 3 kapitujve të parë në kuadër të procesit të integrimit në BE, është një moment historik që pasqyron transformimin dhe rezultatin e punës së Shqipërisë.
Referuar agjendës, Konferenca e 9-të Ndërqeveritare nis në orën 19:00 dhe më pas formalizohet mbyllja e kapitujve. Në orën 20:00, mbahet konferenca për shtyp lidhur me ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së.
Me mbylljen e 3 kapitujve të parë, Shqipëria do të duhet të përmbushë kushtet e mbylljes edhe për 30 kapitujt e mbetur, në mënyrë që të arrijë objektivin e dakordësuar me BE-në për përfundimin e procesit teknik brenda vitit 2027.
Më pas vendimi do të jetë plotësisht politik dhe rruga e Shqipërisë drejt BE-së do të duhet të kalojë nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të Unionit. (Luljeta Ndoka, TVM2)
