Maqedoni
Sot mbahet seanca e 111-të e Kuvendit
15.07.2026 09:47
Kuvendi sot do ta mbajë seancën e 111-të, në rendin e ditës të së cilës janë 22 pika...

Kuvendi sot do ta mbajë seancën e 111-të, në rendin e ditës të së cilës janë 22 pika, mes tyre disa propozim-ligje, raporte dhe vendime.
Ndër pikat kryesore është Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për shërbimet mediatike audio dhe audiovizuele, i cili do të shqyrtohet në lexim të tretë, si dhe ndryshimet në Ligjin për Tarifën Doganore.
Në seancë janë paraparë edhe pyetjet e deputetëve të opozitës. Deputetët do të shqyrtojnë edhe propozime nga fusha e arsimit të lartë, veprimtarisë kërkimore-shkencore, çmimeve shtetërore, standardit studentor, si dhe Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030.
Në rend dite është edhe Propozim-llogaria përfundimtare e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025, si dhe disa propozim-vendime, ndër to edhe vendimi për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës në misionin ndërkombëtar të OKB-së “UNIFIL” në Liban.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu raportet vjetore të punës së disa institucioneve, përfshirë Agjencinë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve, Agjencinë për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional me Financim Kapital dhe Entin Shtetëror për Revizion, si dhe propozime për zgjedhje dhe emërime në disa organe.
