Botë
ShBA – Iran, vazhdojnë përplasjet për Ngushticën e Hormuzit
15.07.2026 13:44
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se ka kryer një valë tjetër sulmesh ndaj Iranit...

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se ka kryer një valë tjetër sulmesh ndaj Iranit, duke goditur dhjetëra objektiva ushtarake pranë Ngushticës së Hormuzit dhe në zonat bregdetare iraniane. Ndërkohë Irani njoftoi se ka kryer sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në Kuvajt, Bahrejn dhe Jordani. Garda Revolucionare Iraniane tha se operacioni ishte përgjigje ndaj sulmeve ajrore amerikane mbi Iranin dhe rivendosjes së bllokadës ndaj porteve iraniane. Presidenti amerikan Donald Tramp kërcënoi se javën e ardhshme do të godasë urat dhe termocentralet e Iranit nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e bisedimeve.
"Do t'i lë objektivat energjetike për në fund, por në fund do t'i godasim. Do t'i godasim shumë fort sonte. Do t'i godasim shumë fort edhe nesër në mbrëmje, edhe natën pas saj, ndërsa javën e ardhshme gjërat do të bëhen shumë më të këqija për ta, sepse në shënjestër do të jenë termocentralet dhe urat. Do t'ua shkatërrojmë të gjitha termocentralet dhe të gjitha urat, përveç nëse ulen në tryezë dhe negociojnë.", - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Më herët, Trampi tërhoqi kërcënimin për vendosjen e një tarife prej 20 për qind për të gjithë ngarkesën që kalon përmes ngushticës dhe theksoi se aleatët nga Gjiri Persik kanë kërkuar marrëveshje tregtare në vend të tarifave. Por, autoritetet iraniane akuzojnë ShBA-në se po përpiqet ta pengojë Teheranin të ushtrojë sovranitet efektiv mbi Ngushticën e Hormuzit.
"Njerëzit që donin ta copëtonin Iranin, çfarë arritën? Ne përgjigjemi me veprime dhe mbrojmë atë në të cilën besojmë, çdo centimetër të tokës sonë. Gjuha e ashpër që përdorin u shkon për shtat atyre, jo neve.", - theksoi presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian.
Në fillim të javës, presidenti amerikan Tramp kërcënoi se do të vendoste një tarifë prej 20 për qind për mallrat që transportohen përmes Ngushticës së Hormuzit nën mbrojtjen e ushtrisë amerikane, por, më vonë, ai propozoi që kjo tarifë të zëvendësohej me marrëveshje tregtare dhe të investimeve me shtetet e Gjirit Persik, ndërsa bllokada ndaj anijeve iraniane do të vazhdonte.
GYLTENE SINANI
