Maqedoni

Vendimi gjyqësor për rastin "Talir 2", Mickoski: Lirimi i Gruevskit, pasojë e Kodit Penal

15.07.2026 15:15

Mickoski thotë se aktgjykimi lirues për ish-kryeministrin Gruevski është për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal...

Pasi Gjykata Penale në Shkup në lëndën "Talir 2" liroi nga akuza ish-kryeministrin Nikolla Gruevski për ndërtimin e paligjshëm të selisë së VMRO-DPMNE-së, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se aktgjykimi lirues për ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, është për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal të bëra nga LSDM dhe BDI.
 
“Nga ajo që munda të lexoj nga përgjigjja e Këshillit Penal të Gjykatës Themelore, mund të konkludoj se bëhet fjalë për pasojë të ndryshimeve ligjore në Kodin Penal të miratuara nga Qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së. Dhe si rezultat i këtyre ndryshimeve ligjore, ne kemi thënë edhe më parë se pati shumë amnisti politike, por për fat të keq do të pasojnë edhe shumë amnisti politike. Kur njëherë bëni një gabim, ai gabim më pas bëhet rregull dhe ju ndjek.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski tha se Qeveria e kaluar i shpiku rastet “Talir 1” dhe “Talir 2”, me të cilat u konfiskua ndërtesa e selisë së partisë, dhe se dje më në fund gjykata mori një vendim që është në përputhje me drejtësinë.
 
LSDM: Gjyqësori dhe Prokuroria nën presion politik
 
Nga ana tjetër, LSDM akuzon se gjyqësori dhe prokuroria punojnë nën presion politik dhe se vendimi shkon në favor të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe partisë në pushtet. 
 
“Gjyqësori dhe prokuroria nën kontrollin e Mickoskit e shpëtuan Nikolla Gruevskin nga përgjegjësia për lëndën “Talir 2” dhe e zhbllokuan pasurinë kriminale të VMRO-së. “Pallati i Bardhë”, me vlerë 14 milionë euro, dhe pasuria tjetër partiake me vlerë 2 milionë euro janë sërish në duart e VMRO-së. Kështu duket kur një organizatë kriminale është në pushtet dhe e kontrollon gjyqësorin; ajo kujdeset vetëm për veten dhe për t’i shpëtuar të vetët nga përgjegjësia. Nuk ka reforma në drejtësi. Nuk ka drejtësi! Ka pushtet kriminal.”, - deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM. 
 
Ndaj vendimit për lirimin e Gruevskit reagoi edhe VLEN-i. Sipas tyre, mëkatet e BDI-së kur ishte në pushtet po e pezullojnë drejtësinë edhe sot. Ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023 u shndërruan në model për shmangien e përgjegjësisë penale.
 
FLORIJE KAMBERI