Irlanda prezantoi prioritetet e Presidencës, zgjerimi prioritet, mbështetje RMV-së

15.07.2026 15:41

Konkurrueshmëria, vlerat dhe siguria do të jenë tre shtyllat e presidencës irlandeze...

Konkurrueshmëria, vlerat dhe siguria do të jenë tre shtyllat e presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit 2026, ndërsa zgjerimi mbetet një nga prioritetet e Dublinit dhe Maqedonia e Veriut mund të llogarisë në mbështetjen e Irlandës në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Këto ishin disa nga përfundimet e ambasadorit të Irlandës në Maqedoninë e Veriut, me seli në Bukuresht, Brendan Uard, i cili në Kuvend prezantoi programin e presidencës irlandeze.
 
“Zgjerimi i Bashkimit është një prioritet i rëndësishëm për Irlandën. Do të punojmë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi dhe do të synojmë të arrijmë përparim thelbësor në negociatat me Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Natyrisht, do ta mbështesim fuqishëm edhe Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe do të punojmë së bashku me partnerët në BE dhe me autoritetet në Shkup për të parë se çfarë përparimi mund të arrihet.”, - deklaroi ambasadori i Irlandës në Shkup, Brendan Uard. 
 
Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, theksoi rëndësinë e integrimit më të shpejtë të rajonit në tregun evropian dhe rikujtoi lidhjen historike mes eurointegrimeve të Maqedonisë dhe Irlandës.
 
“Është shumë e rëndësishme të vazhdojmë me ritëm të përshpejtuar integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian. Frustrimet historike dhe ngjarjet që kanë ndodhur para 100 apo 150 vjetësh nuk duhet të jenë përcaktuese për atë që duhet të ndodhë nesër në të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.”, - theksoi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski.
 
Anëtari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Dragan Sekullovski, paralajmëroi se programet evropiane dhe këshilluese për lirinë e mediave dhe sundimin e së drejtës nuk guxojnë të ndërpriten.
 
“Më vjen keq që duhet të konstatoj se faza e tretë aktuale e njërit prej këtyre programeve të Këshillit të Evropës zgjat deri në dhjetor 2026 dhe deri tani nuk ka njoftim për vazhdimin e saj.”, - u shpreh anëtari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Dragan Sekullovski.
 
Deputetët shqiptarë vlerësuan se rruga drejt Bashkimit Evropian kalon përmes reformave, respektimit të vlerave evropiane dhe ndërtimit të një klime politike bashkëpunuese. Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela deklaroi se procesi i eurointegrimit kërkon respektimin e vlerave evropiane dhe tejkalimin e ndasive.
 
“Pikërisht për këtë arsye duhet të ndërtojmë një narrativë që bashkon, e jo një narrativë që krijon ndarje. Ideja evropiane bazohet në respektin e ndërsjellë, dialogun dhe bashkëpunimin mes popujve.”, - deklaroi kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela. 
 
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, theksoi se eurointegrimet varen para së gjithash nga reformat e brendshme.
 
“Asnjë presidencë e Bashkimit Evropian nuk mund ta kompensojë mungesën e reformave. Nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik, ndjenjën e përgjegjësisë dhe përkushtimin e vërtetë ndaj vlerave evropiane.”, - theksoi deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe. 
 
Mbledhja e përbashkët u zhvillua në frymën e mbështetjes për presidencën irlandeze, por edhe me mesazhe të qarta se Maqedonia e Veriut pret që gjashtë muajt e ardhshëm të sjellin energji të re për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
 
ERSAN PAJAZITI